Pas më shumë se dy muajsh pezullim, punimet në Terminalin e Aeroportit të Vlorës kanë rifilluar. Kompania MABCO dhe nënkontraktorët e saj janë rikthyer në kantier, ku puna e parë ka qenë verifikimi i gjendjes së objektit dhe inventarizimi i pajisjeve, materialeve dhe mjeteve të punës që kishin mbetur në terminal, që prej ndërprerjes së aktivitetit.

“Po bëjmë inventarizimin e plotë të situatës. Po verifikojmë çdo pajisje, çdo material dhe çdo aset të kompanisë dhe të nënkontraktorëve, për të evidentuar gjendjen pas kësaj periudhe pezullimi.”

Paralelisht, përfaqësues të kompanisë po ndjekin edhe procedurat ligjore lidhur me zhvillimet e ditëve të fundit. Administratori i kompanisë thotë se, pavarësisht vonesës së krijuar, fokusi tani është përfundimi i punimeve brenda afateve kontraktuale.

“Ne kemi detyrimin kontraktor që ta përfundojmë terminalin sa më shpejt. Do të punojmë me intensitet për të rikuperuar kohën e humbur dhe objektivi ynë është që punimet të mbyllen brenda një muaji.”

Rifillimi i punimeve vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i hapi rrugë rikthimit të kompanisë në kantier, duke i dhënë fund bllokimit të projektit.

Në ditët në vijim pritet të përfundojë inventarizimi, ndërsa puna në terminal do të vijojë sipas grafikut të ri të zbatimit.

Tv Klan

/tvklan.al