Këngëtari i njohur, Julio Iglesias, është sërish në qendër të vëmendjes, pasi drejtësia spanjolle ka hapur një hetim penal ndaj tij, pas denoncimit të dy ish-punonjëseve, të cilat e akuzojnë për abuzim seksual, dhunë fizike dhe trajtim poshtërues.
Dy gratë, një punonjëse shtëpie dhe një fizioterapiste, pretendojnë se gjatë kohës që punonin në banesat e këngëtarit në Bahamas dhe Republikën Dominikane, në vitin 2021, kanë përjetuar një ambient kërcënues dhe të dhunshëm.
Pas arkivimit fillestar të denoncimit nga Prokuroria në janar, dy gratë iu drejtuan drejtpërdrejt Gjykatës Kombëtare të Spanjës. Gjykatësi Antonio Pinia pranoi pjesërisht kërkesën e tyre, duke vlerësuar se provat e paraqitura janë të mjaftueshme për nisjen e një hetimi penal. Ai i ka thirrur ato të dëshmojnë më 3 shkurt 2027.
Mes provave të dorëzuara në gjykatë është edhe një fotografi ku njëra prej grave shfaqet me një mavijosje në krah, e cila, sipas gjykatësit, mund të jetë shkaktuar nga kapja me forcë. Gjithashtu, në njërën prej kofshëve dallohen dy shenja që mund të përkojnë me kafshime njerëzore. Sipas denoncimit, këto shenja janë shkaktuar gjatë akteve seksuale në të cilat gruaja pretendon se është detyruar të marrë pjesë.
Gjykatësi ka rrëzuar ndërkohë akuzat për trafikim të qenieve njerëzore dhe shkelje të të drejtave të punonjësve.
Nga ana e tij, Julio Iglesias, 83 vjeç, i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si “absolutisht të pavërteta”. Në një reagim në Instagram, ai është shprehur se nuk ka abuzuar, detyruar apo fyer asnjë grua, duke theksuar se do të mbrojë dinjitetin e tij dhe do të bëjë të njohur të vërtetën.
/tvklan.al












Botërori 2026 
