Muzeu Arkeologjik i Durrësit u rihap për vizitorët vendas dhe të huaj këtë të hënë, pas restaurimit të tij të plotë, pas dëmtimit që pësoi nga lëkundjet e tërmetit të vitit 2019. Rikthimi i mozaikut të famshëm “Bukuroshja e Durrësit” në qytetin ku ai u zbulua, i jep restaurimit të muzeut një tjetër vlerë. I pranishëm në ceremoninë e hapjes, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen për BE për gjithë ndihmën e dhënë për rijetëzimin e monumenteve dhe muzeve të dëmtuara nga tërmeti.

“Një ringritje e cila u bë e mundur falë solidaritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Europian, i cili na vuri në dispozicion programin ‘EU4CULTURE’ dhe ne bëmë gjithçka na takonte që me projektet e duhura, me vullnetin e duhur të çonim përpara dhe të vazhdojmë të çojmë përpara, sepse ka ende disa objekte që janë në proces, një punë transformuese e cila flet vetë, siç flet qysh në pamjen e tij të jashtme ky muze që së brendshmi është rikrijuar duke pasuruar linjën muzeale dhe duke e sjellë krejt muzeun në një nivel të ri”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

“Solidariteti është një parim themelor i BE, pra ky program nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e monumenteve të rëndësishme për kulturën e Shqipërisë, por edhe për të ndihmuar në rigjallërimin e peizazhit kulturor të Shqipërisë pas tërmetit të tmerrshëm dhe shkatërrimtar të vitit 2019. Unë besoj se rezultatet që kemi arritur së bashku kanë qenë të jashtëzakonshme”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Me rijetëzimin e muzeut synohet jo vetëm ruajtja e vlerave historike, por edhe shtimi i atraksioneve turistike në vendin tonë.

“Muzeu Arkeologjik i Durrësit është themeluar në vitin 1951 dhe ka një koleksion të pasur me rreth 3200 objekte, përfshirë artefaktet e zbuluara në sitin antik të Dyrrahut nga periudha prehistorike, helenistike dhe romake”, tha ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja.

Tv Klan

/tvklan.al