Sali Berisha iu përgjigj edhe këtë të diel deklaratave që kryeministri bëri në podcastin e tij për procesin e integrimit. Kryedemokrati tha se raporti i IBAR, i miratuar nga ambasadorët e 27 vendeve anëtare, pasqyron realitetin dhe problematikat që ka evidentuar opozita.
Ndërsa mohoi akuzat se opozita ka bllokuar procesin nëpërmjet protestave.
Më herët, Berisha komentoi edhe zgjedhjet që e rikonfirmuan në krye të Partisë Demokratike. Sipas tij, 40 mijë demokratë treguan me votën dhe shembullin e tyre se çfarë do të thotë një proces i lirë, si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për kryeministrin Rama.
“Për Edi Ramën dhe të gjithë këtë hordhi puthadorësh e mafiozësh që gromësijnë dhe zhgërrehen në luksin dhe paratë që u vjedhin shqiptarëve, vota e rreth 40 mijë demokratëve dje ishte një tmerr dhe ferr i vërtetë; ishte dështim dhe turpërim publik (por ata turp nuk kanë) i tyre. Kurse për shqiptarët, ajo ishte vota e triumfit të dinjitetit të tyre mbi mafian më të rrezikshme të Europës.”
Duke bërë një krahasim mes proceseve zgjedhore të partive të mëdha, Berisha tha se demokratët, ndryshe nga socialistët, i zgjedhin drejtuesit nëpërmjet parimit “një anëtar, një votë”.
“Partia Demokratike i zgjedh drejtuesit bazuar në demokracinë direkte dhe voton me parimin ‘një anëtar, një votë’ në çdo proces zgjedhor. Kurse PS-ja, apo partia e krimit, ka zëvendësuar votën e anëtarëve me emërimin dhe fuqinë e krimit. Kjo parti prej 17 vitesh nuk voton kurrë për kryetarin dhe për asnjë forum tjetër të saj. Kurse PD-ja çdo katër vite zgjedh kryetarin dhe drejtuesit vendor e kandidaturat për deputet bazuar në demokracinë direkte (referendum)!”
Javën e ardhshme, më 30 maj, demokratët do t’i drejtohen Kuvendit Kombëtar, ku do të diskutohet ripërtëritja e strukturave dhe organeve drejtuese, në kuadër të riorganizimit të brendshëm politik të partisë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 