Zonat malore të vendit janë përfshirë këtë të mërkurë nga reshjet e borës. Në aksin Boboshticë–Dardhë, trashësia varion nga 20 deri në 25 cm.
Reshje bore ka pasur gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit edhe në Kukës–Shishtavec.
Kontraktorët ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe kriposjen e tyre, ndërsa nuk raportohen probleme me qarkullimin.
Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon drejtuesit e mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.
Sipas sinoptikanëve, moti i paqëndrueshëm do të jetë prezent në të gjithë vendin deri ditën e shtunë. Ndërsa java e ardhshme sjell një përmirësim gradual të kushteve atmosferike.
“Parashikohet që zonat e juglindjes të kenë reshje të intensitetit mesatar. Do të ketë momente me pika shiu në veri dhe qendër. Parashikohet që situata të jetë e paqëndrueshme deri ditën e shtunë. Edhe të premten do të kenë reshje bore zonat malore. Ndërsa fundjava dhe java tjetër sjell përmirësim të kushteve të motit”, tha Lajda Porja.
Për shkak të temperaturave të ulëta, në zonat malore nuk përjashtohen problemet me ngricat.
“Edhe pse jemi në zemër të pranverës, kemi temperatura deri në -1 gradë dhe maksimumet parashikohen sot dhe nesër të jenë jo më shumë se 16 gradë. Do të ketë një rritje të temperaturave ditën e premte”.
Pavarësisht një përmirësimi të përkohshëm javën e ardhshme, deri në mesin e muajit prill sinoptikanët parashikojnë kushte atmosferike të paqëndrueshme. Pranvera do të ndihet vetëm në 10 ditët e fundit të prillit, kur reshjet ndalojnë dhe gjithashtu rriten temperaturat.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 