Moti i keq është rikthyer sërish në të gjithë vendin këtë të premte. Pas reshjeve të dendura të shiut gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, uji ka mbuluar disa rrugë në qytetin e Durrësit, pranë stadiumit “Niko Dovana”, duke vështirësuar lëvizjen e qytëtarëve dhe automjeteve. Nuk raportohet për përmbytje banesash apo biznesesh.
Në Shkodër, situata vijon të jetë problematike në Obot, teksa vijojnë shkarkimet në kaskadën e Drinit. Niveli i ujit në rrugën kryesore të fshatit është rreth 30 cm, ndërsa reshjet e shiut vijojnë herë pas here me intensitet të lartë. Aktualisht, nuk raportohen banesa të rrethuara nga uji.
Nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Për të ndihmuar lëvizjen e banorëve në terren janë angazhuar efektivë të forcave të armatosura nga Vau i Dejës me mjetet e tyre.
Ndërsa zonat malore të qarkut të Shkodrës janë përfshirë nga reshjet e dendura të borës. Në aksin Bogë -Theth, trashësia e borës ka arritur mbi 50 cm.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në zonën e tuneleve, në Qafë Thore, është bllokuar qarkullimi, si rrjedhojë e sasisë së madhe të dëborës së rënë, si dhe nga rritja e temperaturave që rezultojnë të jenë aktualisht 0 gradë Celcius ka rënie ortekesh.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 