Emrat e rinj dhe të larguarit në dy kampet e mëdha

Listat e kandidatëve për deputetë kanë sjellë jo pak surpriza të minutë së fundit, ndonëse disa prej tyre pëshpëriteshin prej ditësh në korridoret e dy selive të partive politike. Deputetë, të cilët kryetarët i kanë rikonfirmuar, por edhe prurje të reja u vunë re në listat e dy partive politike, asaj socialiste dhe Partisë Demokratike.

Socialistët, të cilët kërkojnë një mandat të tretë qeverisës, vijnë me një listë që reflekton në një masë dërrmuese prurje të reja. 35 ish-deputetë u lanë jashtë, një pjesë e të cilëve nuk u rikandiduan, mes të cilëve edhe më kritiku, Ditmir Bushati.

Të tjerë vendosën të dorëhiqen nga jeta aktive politike, duke ia lënë stafetën prurjeve të reja. Por ajo që surprizoi në kampin rozë më shumë se gjithçka ishte renditja poshtë në listat e kandidatëve që konsiderohen fitues në bazë të pritshmërive të secilës forcë politike, e figurave me jo pak peshë në Partinë Socialiste, siç ishte rasti i ish-kryeministrit dhe ministrit aktual Pandeli majko, apo ish-ministrit Fatmir Xhafaj që udhëhoqi reformën e drejtësisë.

Në këtë betejë socialistët  vijnë me një sloganin “Shqipëria e ardhmja jone”, ku në sy ra edhe rikthimi i logos të socialistëve.

Edi Rama në këto zgjedhje duket se ka luajtur me figura e imazhe përtej politikës tradicionale, dukë bërë pjesë të ekipit të tij personalitete të fushave të ndryshme, siç ishte rasti i mjekes infeksioniste Najada Çomo, apo i profesoreshës Luljeta Bozo. Përfaqësimi duket se ka nisur nga brezi i ri, deri tek ai i pensionistëve, gjyshërve e gjysheve apo edhe i emigrantëve, siç është kandidatura e Lavdërim Krashit në Dibër.

Ndryshe nga kryeministri Rama, Lulzim Basha duket se ka preferuar një ekip më shumë politik në këtë betejë, pas 8 vitesh qëndrimi në opozitë, ku do të garojë me siglën e koalicionit “Partia demokratike, aleanca për ndryshim”.

Por edhe në kampin blu nuk munguan hyrjet e daljet e kandidatëve. Jashtë listave u lanë afro 10 figura të njohura politike, mes të cilëve, Genc Pollo, Halim Kosova, Xhemal Gjunkshi, Florion Mima, Gerd Bogdani, Endri Hasa, apo edhe Klevis balliu, e Romeo Gurakuqi.

Njëherazi pati edhe emra të rinj, ndonëse në një numër më të moderuar se ato të socialistëve. Një prej tyre ishte edhe futja në politikën aktive e shkrimtares Flutura Açka, në një qark siç është ai i Elbasanit, ku njëherazi u vu re edhe rikthimi në gjirin e demokratëve të ish-deputetit Dashnor Sula.

Orjola pampuri, është një tjetër figurë të cilën Basha ka propozuar ta ketë në krah të ekipit të tij në Tiranë. Shkodra, ndonëse një bastion i djathtë ka thuajse një listë  të re, ku spikasin veçanërisht dy zonja kandidate për deputete, nënkryetarja  e bashkisë Emilia Koliqi dhe ish-kryetarja e këshillit të qarkut Shkodër.

Në qarkun e Durrësit demokratët vijnë gjithashtu me dy kandidate të reja, Merita Bakiun dhe Andia Ullirin. Por në këtë zonë u vu re një rikthim i Igli Carës, i lënë jashtë në zgjedhjet e kaluara nga Basha.

Ina Zhupën, e cila mban pozicionin e zëdhënëses në Partinë Demokratike , Basha i ka besuar vendin e dytë në qarkun e Vlorës. Agron Gjekmarkaj në Lezhë ishte gjithashtu një risi e listës në qarkun e Lezhës, apo Sorina Koti në Korçë që vjen nga radhës e akademikëve.

Tv Klan