Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka bërë me dije se sulmi kibernetik në faqen web ka qenë “shumë i sofistikuar”, por jo i vetmi. Ajo është përballur me 15 sulme të ngjashme përgjatë gjashtë muajve të fundit.

“Sulmi i fundit u realizua përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, çka tregon nivelin e lartë të koordinimit dhe sofistikimit të këtij akti”, deklaroi ajo.

Sipas Ristanit, nga sulmi kibernetik të dhënat kanë mbetur të paprekura si dhe nuk ka pasur humbje informacioni.

“Prej 80 serverëve total, 10 prej tyre janë nën vëzhgim”, tha Ristani, e cila shtoi se platforma nuk klasifikohet si infrastrukturë kritike sipas legjislacionit aktual.

“Aplikacioni i çerdheve dhe kopshteve dhe rikthimi i lidhjes me AKSH-in për shërbimin e lejeve) po kontrollohen në mënyrë rigoroze për të garantuar që nuk ka mbetje malware-i para se të aktivizohen”, shtoi ajo.

Sa i përket regjistrimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte, duke qenë se faqja nuk është ende në funksion, Bashkia u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve nga datat 25 deri më 30 qershor.

Kujtojmë se më 20 qershor, faqja e Bashkisë së Tiranës ra pre e një sulmi kibernetik, përgjegjësinë e të cilit e mori grupi “Homeland Justice”, i mbështetur nga Irani./tvklan.al