Në Tajlandë, besimi dhe tradita po marrin një tjetër kuptim në një kohë kur ekonomia po përballet me vështirësi. Në qytetin historik të Ayutthaya-s, dhjetëra njerëz praktikojnë një ritual të pazakontë, siç është mbulimi i fytyrës me fletë ari, me shpresën për më shumë fat dhe begati.
Kryesisht tregtarë dhe pronarë biznesesh thonë se ky ritual u jep besim dhe forcë për të përballuar vështirësitë, por pas kësaj fshihet nevoja e njerëzve për shpresë në një kohë pasigurish.
Nga pamjet shihen fytyra që shkëlqejnë nën rrezet e diellit, duart e ngritura në lutje dhe temjanë të mëdhenj që digjen në heshtje.
Kjo është atmosfera në parkun Por Kae Ngoen Lan, në Ayutthaya të Tajlandës.
Dhjetëra besimtarë presin me durim radhën e tyre, ndërsa mjeshtri i ritualit vendos me kujdes fletë të holla ari mbi fytyrat e tyre. Fillimisht në ballë, më pas në faqe dhe, për ata që zgjedhin bekimin e plotë, edhe në mjekër.
Në pak minuta, fytyra e njeriut shndërrohet në një maskë të shkëlqyeshme.
Për ata që zgjedhin të bëjnë ritualin, nuk është thjesht një pamje spektakolare. Për ta është një akt besimi.
Përpara tyre qëndron statuja e Por Kae, një figurë e nderuar në traditën tajlandeze, e lidhur me urtësinë e lashtë dhe mbrojtjen e njerëzve që kërkojnë fat dhe begati.
Rituali drejtohet nga Tong Aek Banturaratchasi, 35 vjeç, i cili thotë se vendosja e arit në fytyrë ka një kuptim më të thellë se sa duket.
“Vendosja e fletës së arit në fytyrë është si të forcosh fuqinë tënde të brendshme. Këto gjëra lidhen me besimin dhe fenë. Është si t’i japësh vetes hijeshi dhe mbarësi. Për shembull, nëse merremi me tregti apo drejtojmë një biznes, pasi vendosim fletën e arit në fytyrë, kjo na rrit vetëbesimin dhe moralin, por edhe ndjenjën e mbarësisë.”
Dhe pikërisht biznesmenët dhe tregtarët janë ndër vizitorët më të shpeshtë.
Në një periudhë kur ekonomia përballet me rritje të kostove dhe konsum më të dobët, shumë prej tyre thonë se, përveç punës dhe përpjekjeve të përditshme, kanë nevojë edhe për një mbështetje shpirtërore.
Këtu, sipas besimtarëve, fleta e arit nuk është ajo që sjell drejtpërdrejt paratë.
Ajo simbolizon besimin se gjërat mund të shkojnë më mirë.
Dhe, mbi të gjitha, u jep njerëzve një ndjenjë sigurie në një kohë kur rezultatet e biznesit nuk varen gjithmonë vetëm nga puna e tyre.
“Kur përpiqemi të sigurojmë jetesën me ndershmëri ose të drejtojmë një biznes dhe gjërat ngecin, nuk ka klientë, nuk ka para, njerëzit priren të besojnë se ardhja këtu u shërben si një mbështetje shpirtërore. Në përgjithësi, ky vend është si një strehë mendore ku njerëzit vijnë për të kërkuar qetësi.”
Dhe për disa, përvoja personale është arsyeja kryesore për t’u rikthyer.
Anong Puusap, 49 vjeç, është një prej tyre. Ajo tregon se vizita e parë në park ishte vetëm me një aplikim të pjesshëm të fletëve të arta. Më pas, sipas saj, një marrëveshje biznesi për të cilën kishte punuar prej kohësh u realizua.
Për Anong, kjo ishte arsye e mjaftueshme për t’u kthyer.
Këtë herë ajo ka zgjedhur bekimin e plotë dhe nuk ka ardhur vetëm. Ka marrë me vete edhe disa prej miqve të saj.
“Herën e parë erdha kështu, me fytyrën pjesërisht të mbuluar, në fillim të muajit. Nga mesi i muajit, marrëveshja për të cilën kisha punuar u realizua. Prandaj u ktheva për të bërë bekimin e plotë dhe solla edhe shumë nga miqtë e mi, sepse e provova vetë dhe funksionoi”, u shpreh Puusap.
Besimi te ky ritual duket edhe te ata që tashmë e kanë kthyer vizitën në një rutinë.
Atchara Eimsaard, 35 vjeç, thotë se ka ardhur këtu katër ose pesë herë. Këtë herë, ajo ka vendosur të bëjë ritualin e plotë. Pas vendosjes së fletëve të arta, ajo pret edhe bekimin me ujë të shenjtë.
Një tjetër pjesë e ceremonisë, që për besimtarët lidhet me pastrimin shpirtëror dhe sjelljen e fatit të mirë.
Atchara merret me biznesin e ushqimit dhe thotë se pas ceremonisë do të udhëtojë. Shpreson që bekimi ta shoqërojë si në jetën personale, ashtu edhe në punën e saj.
“Kam ardhur për ta bërë këtë rreth katër ose pesë herë. Këtë herë bëra të gjithë fytyrën dhe tani po pres të marr bekimin me ujë të shenjtë. Më pas do të udhëtoj. Kam edhe një biznes ushqimi, ku shes gatime të porositura”, pohoi Atchara.
Por ceremonia nuk përfundon me vendosjen e arit. Besimtarët vazhdojnë lutjet, ndezin temjanë të mëdhenj dhe afrohen pranë statujës së Por Kae.
Disa prej tyre vendosin fletë ari edhe mbi statujë, në një gjest që simbolizon nderimin dhe kërkesën për bekim. Të tjerë bëjnë fotografi dhe selfie me fytyrat e tyre të mbuluara plotësisht nga ari.
Fleta e arit nuk është thjesht një material i vendosur mbi lëkurë. Për ata që ulen këtu, ajo është një simbol.
Në fund të ceremonisë, fytyrat pastrohen dhe ari largohet, por sipas besimtarëve, shpresa dhe besimi është më i madh që nesër mund të jetë një ditë më e mirë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 