Gazeta prestigjioze amerikane New York Times, faqen e saj Travel, përmes së cilës orienton pushuesit në plazhet më të bukur të botës, ia ka kushtuar rivierës shqiptare.

Gazetari e quan bregdetin nga Vlora në Sarandë si një parajsë ku mund të pushosh me pak shpenzime, një bukuri natyrore mahnitëse, e ndërthur me mikpritjen, ushqime tradicionale dhe çmimet e lira në akomodim e konsum.

Artikulli i bën jehonë plazheve të virgjëra dhe të paeksploruara nga turistët e huaj. Çmimet e lira janë një tjetër arsye pse Shqipëria është një destinacion i arsyeshëm turistik.

Për këtë arsye fton turistët e huaj, të cilët ndodhen për pushime në vendet fqinje.

Gazetari Seth Kugel thotë se për një javë ka shpenzuar vetëm 500 euro dhe nuk është kursyer në asgjë, çka nuk do të ndodhte në asnjë vend tjetër të Evropës, apo në Mesdhe.

Për vetëm 8 euro në restorantet e bregdetit shqiptar mund të shijosh një drekë të bollshme me prodhime deti, mish qengji e gatime tradicionale shqiptare dhe të huaja.

Me 20 euro mund të kalosh natën në dhoma private fare pranë bregdetit.

Konsumova peshk dhe fruta deti, sallatë greke dhe byrek të shijshëm shqiptar. Fjeta për shtatë ditë, mora një makinë me qira dhe nuk më mungoi asgjë. Pagova vetëm 500 euro duke mbuluar kështu edhe vrimën e borxhit të shpenzimeve të tepruara të qëndrimit dyjavor në Francë, shkruan gazetari.

Por ndërsa ndalet jo pak tek çmimi dhe ushqimi tradicional i freskët gazetari u sugjeron turistëve të huaj që të vizitojnë edhe vendet arkeologjike, duke veçuar këtu Butrintin.

Për sa u përket plazheve, ai ndalet në ato më të bukurit e bregdetit jonian, nga Vlora, Dhërmiu, Himara, Gjipeja, Jali e deri tek Saranda, duke i përshkuar si ndër më të bukurit në rajon.

Një reportazh me të cilin janë pajtuar edhe lexuesit e shumtë të New York Times, të cilët shkruajnë:

“Kam qenë disa herë në atë rajon dhe rivierën shqiptare do ta fus në agjendën time të udhëtimeve”.

“Që prej vitit ‘92, në udhëtimin tim të parë në Shqipëri, mendoja se sa kohë do t’ju duhej që ky vend turistik të zbulohej nga të huaj.”

“Shqipëria është e mrekullueshme. Kam kaluar një javë të qetë në plazhet e Dhërmiut dhe Drimadhes vitin e shkuar, duke paguar ndoshta 60 euro bashkë me pije.”

“E njoh Shqipërinë, sepse motra ime ka punuar atje për llogari të qeverisë amerikane. Ne duam Shqipërinë! Seth ka harruar pa përmendur plazhet e bukura të Vlorës. Ka gjithashtu plazhe mahnitëse mes Sarandës dhe Butrintit. Për të mos folur pastaj për një udhëtim në Gjirokastër apo qytete të tjera si Berati, me një muze të mrekullueshëm.”

“Shqipëria ishte pjesa më ekzaltuese e udhëtimit tim me biçikletë nga Lisbona në Athinë në vitin 2007”.

“Një vend i paharrueshëm, ndërsa shqiptarët janë njerëzit më të mirë që mund të takosh.”/tvklan.al