Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin për rivlerësimin e pronave, duke hapur zyrtarisht rrugën për një tjetër fushatë kombëtare të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Nga janari deri në dhjetor të vitit 2026, qytetarët në të gjithë vendin do të kenë mundësinë të rivlerësojnë banesat dhe pronat e tyre me një normë tatimore prej 5 për qind, shumë më e ulët krahasuar me 15 për qind që aplikohet aktualisht në rast shitjeje.
Tatimi do të paguhet vetëm mbi diferencën mes vlerës së regjistruar në Kadastër dhe vlerës së re të tregut. Norma prej 5 për qind do të jetë e njëjtë si për individët, ashtu edhe për bizneset, dhe konsiderohet më e larta e aplikuar ndonjëherë në proceset e mëparshme të rivlerësimit.
Procesi do të bazohet në çmimet e reja të referencës, të hartuara nga Ministria e Financave mbi transaksionet e viteve 2022–2024. Rritje e ndjeshme e vlerave vërehet në zonat turistike si Durrësi, Vlora dhe Himara, ndërsa Tirana mbetet e vetmja bashki pa ndryshime.
Risi e këtij rivlerësimi është njohja e amortizimit të pronës, ku vjetërsia e objektit do të ulë barrën tatimore për qytetarët.
Qeveria synon rritje të të ardhurave vendore, ndërsa ekspertët vlerësojnë se ky proces mund t’u kursejë qytetarëve mijëra euro në transaksionet e ardhshme.
Rivlerësimi i fundit u zhvillua në periudhën 2020–2022, me një normë tatimore prej 3 për qind, me përfshirjen e rreth 94 mijë pasurive të paluajtshme. Nga kjo fushatë, buxheti i shtetit arkëtoi 138.6 milionë euro, në një kohë kur çmimet e tregut kishin shënuar rritje të ndjeshme.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 