Dozat mbërrijnë brenda muajit, aplikim online për vaksinimin

Të dielën, Maqedonia e Veriut do të nënshkruajë marrëveshjen e furnizimit me 200 mijë vaksina kineze, që do të mjaftojnë për 100 mijë qytetarë. Vaksinat nga Kina do të distribuohen në punktet e vaksinimit, për shkak se ruhen në temperaturë nga 2 deri 8 gradë celsius, kushte këto që plotësohen nga Shtëpitë e Shëndetit në vend. Edhe pse nuk dihet saktësisht se kur do të fillojë, procesi i imunizimit do të zhvillohet në disa faza, varësisht moshës, rrezikut dhe situatës shëndetësore të qytetarëve.

“Në grupin e parë janë punonjësit shëndetësor që punojnë me covid-pacientët, spitalet klinike, institucionet publike shëndetësore, spitalet private, institucionet e veçanta siç janë azilet e pleqve, mjekët amë, personeli nëpër laboratorët e testimit, punonjësit shëndetësor në punktet e vaksinimit. Në grupin e dytë të prioritetit, mundësi vaksinimi do të kenë qytetarët mbi 70 vjeç”.

Ashtu siç do të arrijnë vaksinat, do të bëhet edhe imunizimi i grupeve tjera, të moshës mbi 60 vjeç, nga 18 deri 64 me sëmundje shoqëruese, farmacistët, stomatologët, gazetarët, punonjësit e arsimit dhe qytetarët tjerë me rrezik më të ulët. Në baza ditore planifikohet të vaksinohen nga 2.000 deri 2.500 persona, të cilët përmes mjekut amë do të sigurojnë terminet. Nga java e ardhshme, qytetarët do të mund të aplikojnë edhe përmes një ueb-faqeje të veçantë.

“Do të mund të fillojmë me paraqitjen, me çka të dhënat sapo të hyjnë në ueb-faqe, automatikisht do t`u kthehet përgjigja se është pranuar aplikimi dhe të presin se varësisht grupit që i takojnë, të thirren nga mjeku amë për terminin e vaksinimit”.

Ministri Filipçe siguron se të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe shpreson se deri në muajin Mars do të arrijë sasia e porositur e vaksinave nga AstraZeneca, më 80.000 dozat nga mekanizmi Covax, si dhe donacioni serb të vaksinave nga Pfizer. Ai tha se do të injektohet me vaksinën e parë që do të arrijë në vend.

“Nuk kam rezerva ndaj asnjërës vaksinë. Do të vaksinohesha me atë të parën që do të arrijë në vend, konkretisht me vaksinën kineze”.

Për momentin nuk ka një përgjigje, se çfarë opsione do të kenë qytetarët nëse do të dëshirojnë të zgjedhin vaksinën nga prodhues të veçantë e duke i refuzuar të tjerët. 

Klan Macedonia