Pekini është kthyer në arenën e një gare të pazakontë. Lojërat Botërore të Robotëve Humanoidë nisën të shtunën dhe, për pesë ditë, deri më 26 gusht, robotët do të matin aftësitë e tyre në sport, por edhe në detyra të ngjashme.
Në pistë, sfida më spektakolare ishte gara e 100 metrave. Robotët u nisën me shpejtësi, por jo të gjithë arritën të qëndronin në këmbë. Disa u rrëzuan, ndërsa të tjerë u përplasën me barrierat dhe u nxorrën nga pista nga ndihmësit njerëzorë.
“Ndjej se ta shohësh këtu, nga afër, është shumë më mbresëlënëse sesa ta shohësh në televizor apo në celular. Dëshmon zhvillimin jashtëzakonisht të shpejtë të shkencës dhe teknologjisë”, shprehet Zhang Bing Qin.
Në garën e sprintit, një prej robotëve regjistroi kohën 37 sekonda e 71 të qindtat. Por përtej rezultatit, përmirësimi teknik është ajo që tërheq më shumë vëmendje. Në disa prej disiplinave, ata luajtën së bashku me njerëz, duke treguar një kombinim gjithnjë e më të sofistikuar të lëvizjes, ekuilibrit dhe reagimit.
“Intensiteti është më i lartë se vitin e kaluar, çka kërkon shumë nga menaxhimi i baterisë dhe shpërndarja e nxehtësisë së robotëve. Kjo ka rëndësi të madhe për zhvillimin e sektorit industrial të Kinës”, thotë Xu Qiaosheng.
Ceremonia e hapjes solli në arenë robotë nga ekipe ndërkombëtare, të cilët parakaluan me flamujt e vendeve të tyre. Përveç sporteve tradicionale, robotët do të testohen edhe në skenarë që lidhen me fabrikat, magazinat, restorantet, shitjet, zyrat dhe emergjencat.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 