Me shtrëngime duarsh dhe takim gentelmenësh, Sylvinho kalon stafetën e kombëtares shqiptare te Rolando Maran.
62-vjeçari është i zgjedhuri i Federatës shqiptare të futbollit për të drejtuar kuqezinjtë për të nisur kështu një cikël të ri në krye të skuadrës sonë.
Me një karrierë të pasur në Itali, ku ka drejtuar skuadra si Cagliari e Brescia, Maran është i bindur se do të marrë maksimumin nga një kombëtare ku njeh disa element të rëndësishëm të saj.
“E kam ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe keni gjithë komplimentat e mia. Po më jep mundësinë për të përfaqësuar një popull me krenari të madhe, që është afër shtëpive tuaja, është diçka që ndjehet kur flet me një tifoz shqiptar, dua të transmetoj këtë dashuri të madhe për këtë fanellë. Për mua është një impenjim që po ndërmarr, është diçka që e ndjej brenda, është shumë e fortë që po ndjej për këtë mision, të transmetojmë në fushë, atë që përfaqësoni. Shumë lojtarë i njoh se kam parë shumë ndeshje të Shqipërisë, madje i kam riparë disa prej tyre, kam folur me De Biazin, përderisa është një mik i mirë është një trajner që e vlerësoj shumë për atë që ka dhënë. Më ka dhënë disa indikacione që i vlerësoj”, tha trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran.
62-vjeçari njihet gjerësisht për stilin e tij “të rreptë” dhe me disiplinë të theksuar, ndërsa skema që ka aplikuar më së shumti në fushën e lojës është ajo 4-3-1-2, e cila ka rezultuar e suksesshme.
“Më pëlqen të kem një skuadër agresive. Duhet të demonstrojmë që jemi më të fortë në fushë. ADN-ja ime është kjo, dua të demonstroj këtë gjë. Kam pyetur shumë herë, nuk është hera e parë. Në momentin e parë që kam marrë përsipër të drejtoj skuadrën kombëtare. Është si të trajtosh një klub, ka një ndjenjë përkatësie”, shtoi Maran.
Kualifikimi në kampionatin Botëror 2030 mbetet objektiv i kombëtares shqiptare nën drejtimin e teknikut Maran.
“Kjo është ëndrra juaj dhe e imja. Momentalisht ëndrra ime është ëndrra juaj. Të arrijmë rezultatet e duhura. Nëse jam këtu, kam bindjen që me përkushtimin, profesionalizmin, me një grup të bashkuar dhe me pak fat kjo mund të arrihet”, theksoi tekniku.
62-vjeçari do të debutojë në stolin e kombëtares shqiptare në dy miqësoret e muajit qershor, kundër Luksemburgut dhe Izraelit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
