Gabimet trashanike në dy takimet e fundit, ku fillimisht shkaktoi autogol dhe më pas penallti, kanë ndërlikuar jo pak pozitat e Marash Kumbullës. Mbrojtësi njollosi performancën te Sassuolo që i solli skuadrës edhe rënien një kategori më poshtë pas 11 vitesh.

Një ecuri që nuk kënaq as agjentin e mbrojtësi, Gianni Vitali. Në një prononcim për mediat italiane, ky i fundit konfirmoi se Kumbulla është i shkatërruar nga ajo që ndodhi me skuadrën nga Emilia-Romanja, teksa mbetet e paqartë se cili do të jetë fati i tij pas rikuperimit nga dëmtimi në gju.

“Ne do të takohemi me drejtorin e ri sportiv të Romës, është normale. Do të shohim se për çfarë biem dakord. Kumbullës i vjen keq për atë që ndodhi. Ai po kthehej nga një dëmtim i madh, i duhej kohë për t’u rikthyer në nivelet normale. Gjendja fizike është e mirë, tani pres që të jetë gati për të përballuar një grup të vështirë në Kampionatin Evropian me skuadrën e tij shqiptare. Pas lëndimeve të tilla, nevojitet kohë për t’u shëruar plotësisht.” ka thënë Vitali për ‘TuttoMercatoWeb”.  

Performanca në kampionatin Europian të kësaj vere, gjithmonë nëse Kumbulla preferohet nga Sylvinho do të jetë tepër vendimtare për fatin e mbrojtësit. 24-vjeçari ka një kontratë me Romën, që fillimisht do të shikojë rëndësinë e shqiptarit për skemat e Daniele de Rosi dhe më pas për të vulosur fatin e tij.

Klan News