Shënon në 11 takime radhazi në Seria A

Juventus dhe Lazio po vijojnë duelin në distancë. Bardhezinjtë morën 3 pikë të arta në ndeshjen kundër SPAL, teksa fituan 1-2 në transfertë. Skuadra kampione e Italisë nuk shkëlqeu, por arriti të triumfonte duke vazhduar kryesimin. “Përbindëshi” Cristiano Ronaldo hapi takimin në minutën e 39′ në ndeshjen e tij të 1000 në karrierë si futbollist profesionist dhe goli i 724.

Ai mori një pasim perfekt nga Cuadrado brenda zonës dhe nuk mund të gabonte. 35-vjeçari nuk ishte në ditën e tij më të mirë, pasi gaboi në shumë raste, por ai ka shënuar në 11 ndeshje radhazi në Serie A, duke barazuar rekordin e Batistutës dhe Quagiarellas.

Goli i dytë u shënua në pjesën e dytë nga Aron Ramsey. Një moment relaksimi që zgjati deri në minutën e 69′, pasi skuadra vendase reagoi me një penallti. Por “Zonja e Vjetër” mbrojti rezultati deri në fund.

Por edhe Lazio konfirmohet si rival i fortë për luftën për titull. Pas fitores me Interin, ekipi lacial mposhti jashtë fushe me rezultatin 2-3 ndaj Genoas në një transfertë të vështirë. Ciro Immobile shënoi përsëri.. Sulmuesi italian vazhdon me formën e tij të jashtëzakonshme.

27 gola për të në 24 ndeshje e bëjnë shënuesin më të mirë në Europë dhe më këtë ritëm Këpuca e Artë do të jetë e tija. Lazio është e përqendruar vetëm në kampionat, pasi nuk luan në Europë dhe në Kupë. Ky faktor mund ta ndihmojë skuadrën bardhekaltër të shpallet kampion, teksa titulli mungon që nga viti 2000.

Tv Klan