Edhe një herë, Cristiano Ronaldo bëhet protagonist, por kësaj radhe për një episod krejt të pazakontë.

Ylli portugez nuk tërhoqi vëmendjen me golat, por me një moment kurioz të kapur nga kamerat gjatë sfidës mes Al-Ittihad dhe Al-Nassr.

Mbrojtësi i Al-Ittihad, Danilo, kishte marrë nga stoli një fletë me udhëzime taktike.

Ronaldo e vuri re, iu afrua dhe tentoi t’i hidhte një sy përmbajtjes së saj, në përpjekje për të kuptuar se çfarë udhëzimesh kishte marrë kundërshtari.

Gjesti zgjati vetëm pak sekonda, por ishte i mjaftueshëm që kamerat ta fiksonin. Ronaldo u afrua me kujdes, pothuajse në mënyrë të fshehtë, duke tentuar të merrte ndonjë informacion shtesë.

Një skenë që shumë shpejt u bë virale në rrjetet sociale.

Në fushë, megjithatë, Al-Nassr nuk pati të njëjtin sukses. Al-Ittihad e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte dhe kaloi në avantazh që në minutën e katërt, me George Ilenikhena.

Sulmuesi nigerian shënoi sërish në minutën e 22-të, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh të dyfishtë.

Al-Nassr reagoi në minutën e 36-të me Angelo Gabriel, i cili ngushtoi diferencën dhe riktheu shpresat e skuadrës së Ronaldos për një përmbysje.

Por në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve dhe presionit të Al-Nassr, rezultati nuk ndryshoi. Al-Ittihad administroi avantazhin deri në fund dhe siguroi fitoren 2-1.

Kjo ishte humbja e parë e sezonit për Al-Nassr në Saudi Pro League.

Një rezultat që i lejoi Al-Hilal të shkëputet me tri pikë në krye të renditjes, ndërsa Al-Ittihad ngjitet në vendin e katërt me 11 pikë.

Klan News

/tvklan.al