Cristiano Ronaldo ka mbërritur në SHBA së bashku me përfaqësuesen e Portugalisë, duke nisur zyrtarisht përgatitjet për Kupën e Botës 2026. Për sulmuesin legjendar, ky turne mund të shënojë një tjetër moment historik në karrierën e tij të jashtëzakonshme, pasi synon të bëhet një nga lojtarët e rrallë që marrin pjesë në gjashtë Botërorë.

Edhe pse ka mbushur 41 vjeç, Ronaldo vazhdon të jetë lideri i padiskutueshëm i kombëtares portugeze dhe një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Pas një sezoni të shkëlqyer në kampionat, ku regjistroi 30 gola dhe asiste, ylli portugez synon të transferojë të njëjtën formë edhe në Botëror, për të udhëhequr Portugalinë drejt rezultateve pozitive.

Portugalia do të nisë rrugëtimin e saj në Grupin K më 17 qershor kundër Republikës Demokratike të Kongos në Houston. Më pas portugezët do të përballen me Uzbekistanin më 22 qershor, ndërsa ndeshjen e fundit të fazës së grupeve do ta luajnë ndaj Kolumbisë më 26 qershor në Miami.

Për Ronaldon, ky Botëror përfaqëson shumë më tepër se një rekord personal. Objektivi i madh mbetet fitimi i trofeut të parë botëror në historinë e Portugalisë, një sukses që do të kurorëzonte në mënyrën më të mirë karrierën e tij të lavdishme ndërkombëtare.

Me një skuadër që kombinon eksperiencën dhe talentin e brezit të ri, Portugalia konsiderohet ndër ekipet që mund të luajnë një rol të rëndësishëm në Botërorin 2026. Dhe si gjithmonë, sytë e tifozëve do të jenë te Cristiano Ronaldo, njeriu që vazhdon të sfidojë kohën dhe të synojë majat e futbollit botëror.

Klan News

/tvklan.al