Pjesa e tretë e emisionit “Rudina” këtë të martë, më 26 maj, u fokusua tek një nga festivalet më të rëndësishme të filmit, siç është Festivali i Filmit në Kanë. Këtë vit u zhvillua edicioni i 79-të nga data 12 deri më 23 maj dhe fitues i Palmës së Artë ishte filmi “Fjord” i regjisorit rumun Cristian Mungiu.
Një moment shumë i rëndësishëm për kinemanë e Kosovës ishte edhe pjesëmarrja në festival e filmit “Dua” e regjisores Blerta Basholli, i vlerësuar me Semaine de la Critique – Cannes, çmimin e Kritikës në Festivalin e Kanës. Për të folur për Festivalin e Kanës, por edhe për pjesëmarrjen e saj atje, ishte e ftuar regjisorja dhe aktorja e njohur shqiptare, Rozi Kostani.
Ajo zbuloi arsyen se përse ishte në Festivalin e Kanës si dhe ndjesitë e saj për këtë event të rëndësishëm të kinematografisë.
“Një festival i magjishëm dhe pata fatin t’i përjetoj emocionet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ka qenë ëndërr siç çdo artist e ka ëndërr të jetë pjesë, sigurisht nuk isha si aktore me një film apo produksion, por isha e ftuar nga një shoqatë franko-shqiptare për një produksion shumë të madh që po vjen për Ali Pashë Tepelenën. Është vërtet e magjishme se do sjellim këtë figurë kaq komplekse, shumëdimensionale për t’u qasur me Evropën apo vetë Francën falë një hulumtimi shkencor për ta zhvilluar në rrafshin shkencor, kulturor dhe filmik. Isha e ftuar në këtë kuadër atje, mora emocione të jashtëzakonshme.”
Ajo u shpreh se i kishte bërë përshtypje modestia e aktorëve dhe regjisorëve në sallën e madhe të shfaqjes së filmave.
“Gjëja që dua të përmend këtu ishte modestia e aktorëve dhe regjisorëve. Ishin si fëmijë, ishin të përulur, të emocionuar, të drithëruar, sa edhe ti kur i shikoje drithëroheshe bashkë me ta.”
Ajo e përshkroi atmosferën në këtë event kaq të rëndësishëm të filmit si të jashtëzakonshme.
“Askush nuk mund të futej pa një kartë dhe në fillim futeshin njerëzit që kishin ardhur për ta parë, të ftuarit dhe të ftuarit specialë dhe më pas ishte tapeti i kuq për aktorët dhe regjisorët. Ishte moment drithërues pasi hyrja e tyre ishte solemne, pasi ata kishin bërë paradën e tyre në tapetin e kuq, hynin brenda dhe përshëndesnin me një modesti të adhurueshme.”
Në lidhje me filmin “Dua”, ajo u shpreh se falë një angazhimi nuk mund të ishte pjesë dhe të shihte filmin, por u shpreh se u gëzua shumë që mori çmimin e Kritikës.
“Të të vlerësojë Kritika është një gjë shumë e rëndësishme dhe ndihesh krenar se edhe kur prezantohesh atje si shqiptare, ndihesh krenar kur një film është vlerësuar. Shumë urime regjisores dhe gjithë ekipit.”
Për sa i përket filmit fitues, aktorja Kostani u shpreh se e preku filmi sepse trajtoheshin probleme familjare shumë delikate dhe se filmi në tërësi ishte i realizuar me shumë finesë dhe delikatesë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
