Prokuroria përfundon hetimet pas ekspertizës së dytë

Kjo dhunë e ushtruar ndaj dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja në Korrik të këtij viti nga të paktën 9 persona të fisit Rraja për guroren e Fushë-Krujës, për ekspertët u ka shkaktuar atyre plagosje të lehtë.

Akt ekspertimi i dytë që nxori të njëjtin konkluzion si ai i pari, ka çuar Prokurorinë e Tiranës të përfundojë hetimet dhe të dërgojë dosjen në gjyq duke i akuzuar të hetuarit për “Plagosje të lehtë me dashje” dhe “Kanosja e dëshmitarit”.

Edhe pse kushërinjtë Maja rezultojnë me fraktura të kockës së kafkës dhe kockave të tjera në trup, sipas ekspertëve mjeko-ligjorë nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit, duke bërë që të klasifikohen në plagosje e lehtë.

Në pranga si autorë të ngjarjes së rëndë janë Ineidi Rraja, Andi Rraja dhe Eni Kullaj. Në kërkim vijojnë te jenë ende Rexhep Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, Edison Meta dhe Përparim Rraja.

Gjithashtu, organi i akuzës argumenton se në lidhje me objektin armë të konstatuar në video, nuk mund të ngrejë akuzë, pasi vetëm nga pamjet nuk mund të konkludohet nëse është një armë zjarri apo jo.

Kërkesa e Prokurorisë së Tiranës duhet të kalojë tashmë edhe filtrin e gjyqtarit paraprak, nëse do të pranohet kjo akuzë dhe çështja do shqyrtohet në themel, apo do të rikthehet për hetime.

Tv Klan