Shqipëria ka nisur konsultimin publik për projektligjin e parë “Për inteligjencën artificiale”, një hap kyç për të siguruar përdorimin e sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm të këtyre teknologjive. Rritja e shpejtë e përdorimit të inteligjencës artificiale në vend ka bërë të domosdoshëm krijimin e një baze të veçantë ligjore. Pa një ligj të dedikuar, operatorët ekonomikë dhe institucionet publike përballen me pasiguri juridike, mungojnë standardet për sigurinë dhe transparencën e sistemeve të AI-së dhe rrezikohen të drejtat themelore, si dhe të dhënat personale.
Projektligji i hedhur për konsultim parashikon kategorizimin e sistemeve të AI-së sipas shkallës së rrezikut, me kërkesa specifike për ato që konsiderohen me rrezik të lartë. Ai përcakton detyrime për prodhuesit, përdoruesit, importuesit dhe shpërndarësit, si dhe mekanizma për mbikëqyrjen e tregut dhe vlerësimin e përputhshmërisë. Një element i veçantë i draftit është krijimi i hapësirave rregullatore, të ashtuquajturat “sandbox”, të cilat synojnë të nxisin inovacionin duke ofruar mjedise të kontrolluara për zhvillimin dhe testimin e sistemeve inovative nën mbikëqyrjen e autoriteteve. Ligji parashikon gjithashtu masa administrative dhe instrumente kontrolli, si dhe bashkëpunim ndërmjet autoriteteve përgjegjëse.
Ndër efektet e pritura të këtij projektligji janë siguria më e madhe juridike dhe teknike gjatë përdorimit të AI-së, mbrojtja më e mirë e qytetarëve dhe konsumatorëve, përafrimi me rregullat e Bashkimit Evropian, nxitja e inovacionit dhe e investimeve në teknologji, si dhe forcimi i mbikëqyrjes institucionale dhe i mbrojtjes së të drejtave themelore.
Drafti përcakton gjithashtu afate të qarta përshtatjeje. Sistemet e AI-së që janë futur në treg ose janë vënë në përdorim para hyrjes në fuqi të ligjit mund të vazhdojnë të përdoren, me kusht që të përshtaten me kërkesat e ligjit brenda 24 muajve. Ndërsa ata që prodhojnë ose përdorin sisteme me rrezik të lartë duhet t’i përputhin ato me ligjin brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi.
Në një intervistë për emisionin Pro Business, këtë të shtunë, më Anisa Berisha, eksperte në fushën e qeverisjes së AI-së dhe themeluese e kompanisë së parë në Ballkanin Perëndimor të fokusuar në përputhshmërinë e inteligjencës artificiale, sjell një analizë të detajuar mbi rëndësinë e rregullimit të kësaj veprimtarie. Sipas saj, rregullatori i Bashkimit Evropian për inteligjencën artificiale është kuadri i parë në botë që merret në mënyrë të dedikuar me teknologjinë. Synimi i tij është të adresojë dhe menaxhojë të gjitha rreziqet e inteligjencës artificiale duke vendosur kufijtë se deri ku mund të shkojnë kompanitë dhe cilat standarde duhet të ndjekin në mënyrë që të mos ndikojnë negativisht në jetesën e njerëzve.
Berisha thekson se për herë të parë të gjitha shtetet po e pranojnë se inteligjenca artificiale nuk është vetëm një mjet teknologjik, por një sistem që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimmarrje dhe në jetesën e qytetarit. Kur një qytetar aplikon për kredi, për punë ose merr rezultate mjekësore nëpërmjet sistemeve teknologjike, ai është i ekspozuar ndaj vendimeve që merren nga këto sisteme. Kjo ka ngritur një alarm në të gjithë botën dhe për këtë arsye është vendosur rregullatori i Bashkimit Evropian. Kjo nuk nënkupton se shtetet duhet të ndalojnë përparimin teknologjik, por se ato duhet të vendosin kufij të caktuar në mënyrën e zhvillimit të teknologjive, duke krijuar korniza rregullatore që i shërbejnë gjithmonë përdoruesit dhe qytetarit.
Pse Shqipëria duhet të harmonizojë rregulloret edhe pa qenë pjesë e BE-së
Lind pyetja nëse në një periudhë kur Shqipëria ende nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, është e domosdoshme që edhe ne të harmonizojmë këto rregullore dhe korniza ligjore. Përgjigjia, sipas Berishës, është shumë e thjeshtë, sepse vetë rregullatori i Bashkimit Evropian nuk ndjek pasaportën e kompanisë, por ndjek vetëm produktin. Me fjalë të tjera, në qoftë se një kompani shet një softuer ose një shërbim te një kompani që ndodhet në një nga vendet e Bashkimit Evropian, në Gjermani, në Itali apo kudo qoftë, atëherë ajo automatikisht futet në fushën e zbatimit të këtij ligji.
Në rastin konkret, Shqipëria ka shumë kompani që përdorin ose zhvillojnë softuer, për shembull për rekrutim, dhe ia shesin kompanive të Bashkimit Evropian. Nëse një kompani evropiane përdor këtë softuer për të filtruar CV-të e kandidatëve, kjo hyn në kategorinë e rrezikut të lartë. Kjo do të thotë se kompania që përdor këtë sistem duhet të ketë një dokumentacion të plotë teknik, transparencë të qartë dhe të gjitha procedurat dhe standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian. Nëse diçka mungon nga këto kritere, përgjegjësia është e përbashkët e kompanisë shqiptare që e ka zhvilluar softuerin dhe e asaj që e përdor. Prandaj, vendndodhja gjeografike nuk është më një kriter që përcakton nëse rregullatori i Bashkimit Evropian e kap apo jo një biznes.
Sektorët më të prekur në Shqipëri
Sipas Berishës, sektorët që preken janë pothuajse të gjithë, sepse në kohën që po jetojmë po mundohemi të dixhitalizojmë pothuajse çdo gjë, duke filluar nga bankat që janë me sistemet më të larta të rrezikut dhe duke përfunduar te përmbajtja dhe marketingu. Ajo që e shqetëson më shumë është pjesa e outsourcing, sepse aty futet legjislacioni. Të gjitha kompanitë që u shërbejnë kompanive evropiane dhe shteteve të Bashkimit Evropian janë tashmë pjesë e ligjit. Kjo do të thotë që bizneset nuk duhet të presin më ligjin, sepse ato janë tashmë të futura në të. Pyetja që duhet bërë është kur ato duhet të jenë gati dhe ato duhet të fillojnë që tani të ndjekin procedurat, të kenë politikën e tyre të brendshme të qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe të plotësojnë standardet e aprovuara nga Bashkimi Evropian.
/tvklan.al












Botërori 2026 
