Rruga Librazhd-Qafë Thanë është bllokuar në të dyja drejtimet. Shkak është bërë një rrëshqitje e masivit të dheut dhe e gurëve nga mali në vendin e quajtur Dragostunjë. Siç duket edhe nga pamjet, rruga është bllokuar tërësisht.
“Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve”, njoftoi policia.
Uniformat blu i bëjnë thirrje qytetarëve që duan të shkojnë drejt Korçës ose anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.
Gazetari Fatos Salliu ishte në vendin e ngjarjes ku tregoi se prej më shumë se dy orësh aksi vijon i bllokuar. Bëhet fjalë për një nga rrugët më të rëndësishme pasi lidh lindjen me perëndimin e vendit. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka pasur të lënduar.
“Po punohet, siç shihet pas shpinës sime. Drejtuesit e automjeteve janë duke pritur, disa prej tyre edhe më shumë se dy orë. Ajo që ka rëndësi është që rrëshqitja masive nuk ka shkaktuar dëme në automjete dhe në njerëz”, raportoi gazetari.
/tvklan.al












Botërori 2026 