Një aeroplan i Air India me 242 pasagjerë që udhëtonte për në Londër është rrëzuar menjëherë pas ngritjes në Ahmedabad, në Indinë perëndimore, raporton BBC.

Mësohet se avioni mbante më shumë se 242 pasagjerë. Ndërkohë sipas raportimeve avioni është rrëzuar në një zonë të banuar vetëm pesë minuta pasi ishte ngritur nga pista, teksa nuk dihet ende nëse ka të mbijetuar. Për këtë arsye deri më tani, sipas Reuters numri i viktimave është mbi 290.

Sipas raportimeve në fluturim kishte 169 shtetas indianë, 53 britanikë, një shtetas kanadez dhe shtatë shtetas portugezë.

Nga hetimet e deritanishme konfirmohet se piloti i avionit, me eksperiencë të gjatë në fluturime, ka dhënë sinjalin SOS pak sekonda para rënies mbi një konvikt studentësh të mjekësisë. 

Siç shihet edhe nga pamjet e shpërndara në rrjete sociale, tymi i zi ka mbuluar vendin, ndërsa menjëherë ekipet e emergjencës janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë pasagjerëve.

Ndërkohë në një deklaratë të postuar në “X”, kryetari i Air India, Natarajan Chandrasekaran, ka konfirmuar aksidentin e fluturimit 171 të Air India që operonte Ahmedabad London Gatwick.

“Mendimet dhe ngushëllimet tona më të thella janë me familjet dhe të dashurit e të gjithë atyre që u prekën nga kjo ngjarje shkatërruese. Në këtë moment, fokusi ynë kryesor është mbështetja e të gjithë personave të prekur dhe familjeve të tyre. Po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ndihmuar ekipet e reagimit ndaj emergjencave në vendngjarje dhe për të ofruar gjithë mbështetjen dhe kujdesin e nevojshëm për të prekurit”, shprehet ai.

Nga raportimet e deritanishme, nuk bëhet i ditur shkaku i kësaj ngjarje tragjike.

/tvklan.al