Komisioni i Ekonomisë: Do të ketë paketa me Akt Normativ nëse rëndohet situata

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka rrëzuar dekretin e presidentit, i cili ktheu për rishqyrtim ligjin e buxhetit të vitit 2021.

Në argumentet e tyre, deputetët e mazhorancës nënvizuan se paketat e ndihmave të bizneseve për pandeminë po jepen përmes lehtësimit të taksave për biznesin e vogël dhe heqjes së tatimeve te nafta për sektorin bujqësor.

Ata thanë se nëse situata e pandemisë rëndohet, atëherë përmes akteve normative buxheti do të japë ndihmë direkte për shtresat që do të preken.

Qeveria refuzoi rritjen e pagave në sektorët e tjerë të administratës, ndërsa nuk ishte e mendimit të presidencës se buxheti i shëndetësisë vitin e ardhshëm është më i vogël.

Përfaqësuesit e presidentit kërkuan që qeveria minimalisht të vendoste një tavan për borxhin publik dhe të rriste ndihmën direkte buxhetore për pandeminë.

Tv Klan