Qeveria greke ka mohuar raportet se ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë dyshohet se kishte lënë të kuptohej që Uashingtoni mund ta rrëzonte qeverinë konservatore të kryeministrit Mitsotakis nëse do ta shihte të arsyeshme.

Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, deklaroi se “nuk ka pasur kurrë ndonjë çështje kërcënimi ndaj qeverisë greke dhe se diçka e tillë nuk do të ishte kurrë e pranueshme”.

Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se gjatë një darke në muajin mars ku merrnin pjesë zyrtarë grekë dhe amerikanë, Kimberly Guilfoyle i tha ministrit të Energjisë, Stavros Papastavru, se Shtetet e Bashkuara kishin qenë të përfshira në rrëzimin e qeverisë së qendrës së djathtë të Rumanisë.

“Ne mund ta bëjmë këtë me çdo vend që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu”, citohet të ketë thënë ajo. Wall Street Journal citoi një person që kishte marrë pjesë në darkë, si dhe të tjerë që ishin informuar më pas për incidentin e pretenduar. Avokati i Guilfoyle e kundërshtoi përshkrimin e bisedës së raportuar.

Sipas WSJ, Papastavru u përgjigj se Uashingtoni nuk mund ta zëvendësonte qeverinë e zgjedhur të Greqisë.

Partitë opozitare i kanë kërkuar qeverisë greke të japë shpjegime lidhur me incidentin e pretenduar.

Klan News

/tvklan.al