Eksportet shqiptare kanë shënuar rritje me dy shifra në korrik, duke arritur në 33.7 miliardë lekë, 10.6% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Por rritja e shitjeve jashtë vendit vijon të shoqërohet me një volum shumë më të madh blerjesh nga jashtë.

Importet në korrik arritën në 86.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 3.6%. Në terma më të thjeshtë, për çdo 1 lek mallra që Shqipëria eksporton, importon rreth 2.56 lekë mallra.

Ky raport reflektohet edhe në deficitin tregtar, i cili në korrik ishte 52.8 miliardë lekë. Edhe pse deficiti është 0.5% më i ulët se një vit më parë, krahasuar me qershorin është zgjeruar me 9.8%.

Në anën e eksporteve, rritja është mbështetur kryesisht nga materialet e ndërtimit dhe metalet, me kontribut 8.9 pikë përqindjeje, si dhe nga mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike, me 5.3 pikë. Në të kundërt, tekstilet dhe këpucët kanë dhënë një kontribut negativ prej 4.3 pikë përqindjeje.

Ndërkohë, Greqia ka shënuar rritjen më të madhe të eksporteve shqiptare, me 19%, ndërsa Kina kryeson rritjen e importeve, me 22.7%. Bashkimi Europian mbetet partneri kryesor, me 53.6% të gjithë shkëmbimeve tregtare.

Tv Klan

/tvklan.al