Shtimi i fluksit të turistëve në vend po sjell edhe një kërkesë më të lartë për akomodim, veçanërisht për apartamente që jepen me qira afatshkurtër në platforma si Airbnb. Sipas të dhënave të fundit, në Shqipëri janë rreth 23 mijë prona aktive të listuara për qira ditore.

Një treg që është zgjeruar ndjeshëm në vitet e fundit, teksa krahasuar me vitin 2022 është rritur me rreth 10 mijë prona të tilla.

Megjithatë, sipas ekspertëve të tregut imobiliar, kërkesa për akomodim në disa zona turistike vijon të jetë më e lartë se oferta ekzistuese.

“Turizmi ka rritur ndjeshëm kërkesën për akomodim, sidomos gjatë sezonit veror. Në disa zona bregdetare apo edhe në qytete si Tirana, numri i apartamenteve që ofrohen ende nuk e mbulon plotësisht kërkesën që vjen nga turistët dhe vizitorët. Tregu është përqendruar kryesisht në qytetet dhe zonat turistike me fluks më të madh vizitorësh”, deklaroi Erion Alimema, ekspert i tregut imobiliar.

Agjentët imobiliarë thonë se kjo kërkesë në rritje ka ndikuar edhe në çmimet e apartamenteve, sidomos në zonat turistike dhe pranë bregdetit.

“Interesi për të investuar në apartamente që përdoren për qira ditore është rritur dhe kjo po reflektohet edhe në çmimet e pronave. Në zonat më të kërkuara kemi parë një rritje të çmimeve, pasi shumë blerës i shohin këto prona si një mundësi investimi”, pohoi Alimema.

Ekspertët theksojnë se, me rritjen e turizmit dhe zhvillimin e tregut të qirave afatshkurtra, pritet që investimet në apartamente për akomodim turistik të vijojnë të shtohen edhe në vitet në vijim.

Tv Klan

/tvklan.al