Sipas statistikave të policisë kufitare, muaji Gushti ka shënuar rritje të numrit të hyrje-daljeve në të gjitha pikat kufitare.

Dita e diel ka shënuar fluksin më të madh në pikën kufitare të Morinës, me mbi 25,000 shtetas që kanë hyrë në tokën shqiptare. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit “Nënë Tereza” kanë hyrë mbi 4,773 shtetas.

Në doganën e Murriqanit rezultojnë 14,529 shtetas në hyrje, me 3,195 mjete. Në qarkun e Korçës rezultojnë në total mbi 12,000 shtetas që kanë hyrë nga pikat kufitare, ndër të cilat 8,000 shtetas kanë hyrë nga pika kufitare e Kapshticës.

Fundjava ka shënuar fluks edhe në Kakavijë, ku numërohen rreth 10,000 shtetas shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në tokën shqiptare me mbi 2,000 mjete, ndërsa në dalje numërohen 2,937 shtetas dhe mbi 702 automjete.

Edhe në sportelet e porteve të vendit shënohet fluks kalimtarësh në hyrje dhe në dalje. Nga porti i Durrësit kanë hyrë 9,000 shtetas me 2,500 mjete, ndërsa në portin jugor të Vlorës shënohen 5,800 shtetas në hyrje me 1,400 mjete.

Në total, vetëm gjatë ditës së diel kanë hyrë në Shqipëri mbi 89,000 shtetas shqiptarë dhe të huaj, me mbi 21,000 mjete.

Sipas burimeve të policisë kufitare, në ditët në vijim pritet të ketë edhe më shumë fluks në pikat kufitare.

Për këtë arsye janë marrë të gjitha masat, duke shtuar numrin e sporteleve, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata për shtetasit që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri./tvklan.al

/tvklan.al