Situata gjeopolitike nga konflikti në Lindjen e Mesme ka ndikuar në rritjen e çmimeve në vendin tonë sipas INSTAT duke bërë që inflacioni të arrijë në 3% në muajin maj.

2 muajt e fundit sipas të dhënave zyrtare vihet re një tendencë gjithnjë e në rritje e inflacionit pasi në prill, shënoi vlerat 2.7%.

Rritja vjetore e çmimeve në maj 2026 u ndikua kryesisht nga grupi “Transporti” me 7,8%, pasuar nga “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,9%, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” dhe “Argëtim, sport dhe kulturë” me nga 4,2% secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,4 %, ndërsa me nga 3% secili grup ishte edhe “Restorante dhe shërbime akomodimi“ dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” referuar INSTAT.

Ndërsa krahasuar me muajin prill të këtij viti 2026, çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” u rritën me 1,1%, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 0,9%,“Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 0,6% evidentohet në raportin më të fundit të INSTAT.

Nga ana tjetër sipas projeksioneve zyrtare të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të jetë në objektivin prej 3% edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026.

Klan News

/tvklan.al