19 gusht 2026- Inflacioni në Eurozonë u rrit në 2,9 për qind në korrik, nga 2,8 për qind që ishte një muaj më parë, bëri të ditur Eurostat.

Edhe në Bashkimin Evropian, norma vjetore e inflacionit u rrit, duke arritur në 3 për qind, krahasuar me 2,9 për qind në qershor.

Të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni është përshpejtuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Në korrik të vitit 2025, norma vjetore ishte 2 për qind në Eurozonë dhe 2,4 për qind në BE.

Në korrik 2026, kontribut pozitiv në normën vjetore të inflacionit në Eurozonë dhanë shërbimet, energjia, mallrat industriale jo-energjetike, si dhe ushqimi, alkooli dhe duhani.

Krahasuar me qershorin 2026, inflacioni vjetor ra në 15 shtete anëtare, mbeti i pandryshuar në tre dhe u rrit në nëntë të tjera.

Normat më të ulëta të inflacionit u regjistruan në Suedi me 0,3 për qind, Çeki me 1,3 për qind, si dhe në Danimarkë dhe Hungari me nga 1,6 për qind.

Në anën tjetër, normat më të larta u regjistruan në Rumani, me 8,2 për qind, e ndjekur nga Lituania me 5,4 për qind, ndërsa Qiproja dhe Bullgaria shënuan nga 4,4 për qind.

Të dhënat e Eurostat tregojnë kështu një rritje të lehtë të presioneve inflacioniste në Eurozonë dhe në BE gjatë muajit korrik.

/tvklan.al