Kërkesa për blerje pronash në resortet e ndërtuara në zonat bregdetare është me rritje edhe këtë vit, sipas një artikulli të publikuar në Revistën Monitor.

Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë këtë trend janë rritja e kostove të ndërtimit, si në aspektin e volumit ashtu edhe në standardet e kërkuara. Sot, zhvillimet nuk fokusohen më vetëm te ndërtimi bazë, por te krijimi i një lifestyle të plotë, që përfshin lehtësi, shërbime dhe përvojë jetese.

Gjithashtu, orientimi drejt tregjeve të huaja dhe kërkesat më të larta të klientëve ndërkombëtarë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e standardeve dhe, si rrjedhojë, edhe të çmimeve.

Kërkesa nga blerësit e huaj është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit, veçanërisht nga tregje si Norvegjia, Polonia, Çekia, dhe në një masë më të moderuar nga Italia dhe Gjermania.

Megjithatë, aktualisht kërkesa kryesohet ende nga diaspora shqiptare, nga vende si Gjermania, Zvicra, Anglia, SHBA dhe Franca.

Për të arritur një rritje më të ndjeshme dhe të qëndrueshme të blerësve të huaj, janë dy elemente kyçe:

-Siguria juridike e pronës, ku investitorët kërkojnë certifikatë pronësie të qartë dhe garanci institucionale, jo vetëm nga zhvilluesi

-Kthimi i investimit (ROI), i cili duhet të jetë i strukturuar dhe i komunikuar qartë

Ndërkohë, Shqipëria ofron potencial të lartë në këtë drejtim, por kërkon një qasje më të fortë në komunikim dhe Media PR ndërkombëtare, veçanërisht për të rritur perceptimin e sigurisë dhe besimit tek investitorët e huaj.

Cilat tipologji të pronave po kërkohen më tepër për qëllime banimi, apartamentet apo vilat?

Aktualisht, tregu në Shqipëri ka kaluar nga koncepti tradicional i “shtëpisë së dytë” drejt një qasjeje më të orientuar tek investimi. Blerësit sot janë më të fokusuar në vendimmarrje racionale, ku përparësi është kthimi i investimit (ROI) dhe minimizimi i riskut.

Investimet në vila në bregdet ofrojnë potencial më të lartë kthimi krahasuar me pronat në zonat urbane, ku dominon preferenca për apartamente. Kjo lidhet me kërkesën në rritje për produkte premium dhe përvoja lifestyle, sidomos nga tregu ndërkombëtar.

Megjithatë, edhe pse interesi për vila është i lartë, numri më i madh i transaksioneve realizohet me apartamente. Kjo jo për shkak të mungesës së kërkesës për vila, por për arsye të buxheteve më të përballueshme që kanë një pjesë e madhe e investitorëve.

Në raport me vjet, si kanë ndryshuar çmimet e shitjes së apartamenteve dhe vilave?

Vihet re që projektet që janë drejt përfundimit ose në faza të avancuara ndërtimi kanë kërkesë më të lartë krahasuar me ato në fazat fillestare (startup). Kjo lidhet me faktin që blerësit kërkojnë më shumë siguri dhe parapëlqejnë investime me kohë më të shkurtër pritjeje.

Nga ana tjetër, projektet në fazat fillestare kanë një fluks të lartë kërkese në 6-mujorin e parë të lançimit, ndërsa më pas, me rritjen graduale të çmimeve sipas tregut dhe avancimit të punimeve, shitjet kalojnë në një ritëm më të moderuar.

Sa i përket krahasimit me vitin e kaluar, ndryshimet në çmime varen nga projekti dhe faza e zhvillimit. Në projekte ku ndërtimi ka përparuar dhe standardi është konsoliduar, kërkesa është rritur ndjeshëm, duke reflektuar edhe rritje çmimesh.

Në disa raste, kjo rritje e kërkesës ka qenë deri në rreth 30-40% më e lartë krahasuar me vitin paraardhës, e shoqëruar edhe me rritje progresive të çmimeve.

Lindja e Mesme, cilat janë efektet që po ndihen nga sektori i ndërtimit?

Pa dyshim, zhvillimet gjeopolitike, përfshirë konfliktet dhe rritjen e çmimit të naftës, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.

Rritja e kostove të energjisë dhe transportit reflektohet në çmimet e lëndëve të para, duke sjellë një presion të vazhdueshëm në koston totale të ndërtimit.

Megjithatë, këto zhvillime kanë ndikuar edhe në sjelljen e investitorëve. Sot, blerësit janë më të orientuar drejt tregjeve që ofrojnë stabilitet, siguri dhe çmime konkurruese.

Në këtë kontekst, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një alternativë tërheqëse në rajon. Krahasuar me tregje fqinje si Mali i Zi, Kroacia apo Greqia, ajo ofron ende çmime më të përballueshme në bregdet, duke ruajtur një potencial të lartë rritjeje.

Si rrjedhojë, pavarësisht rritjes së kostove, sektori vazhdon të tregojë rezistencë dhe interes në rritje, veçanërisht nga investitorët që kërkojnë mundësi me raport të mirë risk-fitim.

/tvklan.al