Bankat e nivelit të dytë vijojnë të mbeten financueset kryesore të ekonomisë, teksa për muajin qershor raportohet të kenë dhënë 795.6 miliardë lekë hua, me një rritje prej 1.6% krahasuar me një muaj më pare dhe 11.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo situatë duket se është ndikuar edhe nga normat e favorshme të interesit.

Sipas shifrave të bëra publike nga Banka Qendrore kanë qenë bizneset ato që kanë përfituar më shumë kreditim, me qëllim rritjen e investimeve.

Nga 438.2 miliardë lekë në maj, ky portofol është shtuar me më shumë se 9 miliardë lekë në qershor, duke arritur në rreth 447 miliardë lekë. Krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të shkuar, kredia për biznesin është rritur me rreth 10.6%.

Nga ana tjetër dhe individët raportohet të kenë rritur kërkesat për hua nga bankat me rreth 6.2% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, para të cilat janë përdorur kryesisht për blerjen e apartamenteve.

Rritje është shënuar edhe në totalin e depozitave të cilat kanë arritur në rreth 1.302 trilionë lekëve, nga 1.300 trilionë lekë që ishte gjatë muajit maj.

Efekti i kursit të këmbimit sipas Bankës së Shqipërisë ka ulur depozitat në monedhën euro, duke rritur ato në lekë me krahasuar me një muaj më parë.

Tv Klan