Më shumë depozita e tituj borxhi, reduktohet ari

Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë, instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme në ekonomi, u zgjerua me 2.3% gjatë muajit Shkurt 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në nivelin e 556,9 mld Lekëve.

Rezerva valutore e vendit në pjesën më të madhe mbahet në tituj borxhi dhe në depozita, ndërkohë që administrohet nga Banka e Shqipërisë. Referuar shifrave të muajit që lamë pas letrat me vlerë arritën në nivelin e 439,5 mld Lekëve, ndërsa depozitat pësuan një rritje të ndjeshme me të paktën 19.5% krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë raporton se për muajin Shkurt të këtij viti rezerva e arit arriti në vlerën e 44,9 mld Lekëve, me një rënie të lehtë prej 2.8% krahasuar ne muajin shkurt 2023.

Në strukturën e rezervës valutore kryeson euroja, që përbën më shumë se 65% të vlerës totale të saj dhe pjesa tjetër është në dollar amerikan, jen japonez, juan kineze dhe dollarë australiane.

Rezerva valutore shërben ndër të tjera për të përmbushur nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm, si dhe për t’i mundësuar Bankës së Shqipërisë ndërhyrjen në treg, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e lëvizjeve të forta të kursit të këmbimit.

Tv Klan

/tvklan.al