Autoritetet shëndetësore në mbarë botën janë vënë në alarm pas shpërthimit të hantavirusit në një anije turistike, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon pesë raste të infektuara dhe tre të tjera të dyshuara.

Presidenti amerikan Donald Trump është prononcuar për mediat lidhur me këtë çështje ku deklaroi se administrata amerikane po monitoron nga afër zhvillimet.

“Mendoj se do të informoheni për gjithçka dhe tashmë jeni informuar. Shpresojmë që situata të jetë shumë nën kontroll. Ishte anija. Besoj se nesër do të kemi një raport të plotë. Kemi shumë njerëz, njerëz të shkëlqyer, që po e studiojnë situatën”, tha Trump.

I pyetur nga gazetarët nëse ekziston rreziku që virusi të përhapet më tej, Trump u shpreh se shpreson që kjo të mos ndodhë.

“Shpresoj që jo. Do të bëjmë më të mirën që mundemi”, tha Trump.

Së fundmi në Singapor janë izoluar dy persona që kanë qenë pasagjerë të anijes ku ka shpërthyer virusi.

Një tjetër I infektuar nga virusi po trajtohet në një spital në Holandë.

Ministria e Shëndetësisë së Kilit ka deklaruar se shpërthimi i hantavirusit nuk ka lidhje me territorin e tij, ndërsa shtoi se personat e infektuar nuk janë ekspozuar ndaj virusit gjatë qëndrimit në Kili, pasi udhëtimet e tyre në vend kanë ndodhur jashtë periudhës së inkubacionit të sëmundjes.

Tre prej personave të infektuar kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë vendin ku pasagjerët mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.

Ndërkohë, Kili raportoi se gjatë vitit 2026 janë regjistruar 39 raste me hantavirus dhe 13 viktima.

Mjekët infeksionist kanë deklaruar se virusi përhapet natyrshëm nga brejtësit dhe njerëzit infektohen kryesisht kur hyjnë në zona rurale apo të egra ku jetojnë këto kafshë.

Megjithëse në raste të rralla mund të përhapet edhe nga njeriu te njeriu.

Sipas biologëve, brejtësi i njohur si “miu me bisht të gjatë”, specie që gjendet në Amerikën e Jugut, është bartësi i variantit Ande të hantavirusit, i konsideruar si një nga format më agresive dhe vdekjeprurëse të virusit.

Autoritetet shëndetësore në rajon vijojnë hetimet dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin kontaktin me zonat e ndotura nga brejtësit dhe të raportojnë menjëherë simptomat e dyshimta.

Klan News

/tvklan.al