08 nëntor 2026- Përveç grupit të hakerave që ka marrë përsipër sulmet ndaj supermarketeve, përfshirë edhe ato në Itali, në muajt e fundit janë shfaqur edhe disa organizata të tjera pro-ruse, mes tyre “Male State”, “Z-Pentest”, “Everest” dhe grupe që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet sekrete ruse.

“Incidente si këto kanë goditur qindra vende në të gjithë Europën, megjithatë ata nuk kanë mësuar nga gabimet e tyre. Edhe një herë kemi treguar koston e vërtetë të pjekurisë dixhitale perëndimore.

Prandaj, ndiqni me vëmendje veprimet tona në arenën globale”, thuhet në një mesazh të publikuar nga hakerat.

Sulmet e tyre variojnë nga mbingarkimi i sistemeve informatike të institucioneve dhe kompanive, përmes metodës DDoS, me miliona kërkesa hyrjeje nga kompjuterë të infektuar në mbarë botën, deri te sulmet e drejtpërdrejta ndaj rrjeteve të mëdha të shpërndarjes ushqimore në Europë.

Megjithatë, grupet kanë paralajmëruar se në të ardhmen mund të shënjestrojnë edhe rrjetet e furnizimit me ujë dhe energji elektrike.

Grupi i hakerave pro-rusë “Noname057(16)”, së bashku me aleatët e tij të “Z-Pentest”, ka përshkallëzuar aktivitetin ditët e fundit.

Nëse pretendimet e tyre konfirmohen nga hetimet, kjo do të tregonte se aktiviteti i tyre nuk kufizohet më vetëm në sulme demonstrative që shkaktojnë ndërprerje dhe vështirësi në shërbime.

Këto grupe janë ndër më të dyshuarat për organizimin e një fushate të re dhe më konkrete kundër vendeve perëndimore, pavarësisht mohimeve të përsëritura të Moskës për çdo përfshirje. Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, ato dyshohet se kanë organizuar më shumë se 350 sulme kibernetike vetëm kundër Italisë.

Rreziku është konsideruar i vazhdueshëm, aq sa ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka thirrur Komitetin Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë Publike për të analizuar sulmet kibernetike ndaj vendit.

Pesë drejtuesit e kërkuar nga Gjermania

Operacioni “Eastwood”, i zhvilluar vitin e kaluar nga policitë europiane, përfshirë edhe atë italiane, zbuloi një pjesë të strukturës së grupit të hakerave, duke identifikuar më shumë se 1 mijë kontakte.

Në krye të organizatës dyshohet se qëndrojnë pesë persona, të cilët aktualisht kërkohen nga Europol dhe policia gjermane: Olga Evstratova, Mihail Evgeyevich Burlakov, Andrey Stanislavovich Avrosimow, Maxim Lupin dhe Andrey Muravyov.

Ata konsiderohen organizatorët e kanaleve të grupit “Noname” në Telegram dhe të sulmeve kibernetike. Në kërkim të tyre janë veçanërisht prokurorët dhe policia e Frankfurtit.

Emrat e tyre janë përfshirë edhe në listën e personave që kërkohen nga hakerat, të cilët kanë ofruar shpërblime për informacione rreth tyre. Në këtë listë janë përfshirë edhe zyrtarë italianë, mes tyre kryeprokurori i Romës, Francesco Lo Voi, dhe drejtori i Policisë Postare, Ivano Gabrielli.

Manifesti i grupit dhe sulmet ndaj kundërshtarëve të Rusisë

Grupi “Noname057(16)” u krijua në mars të vitit 2022, një muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Fillimisht, manifesti i tij përmbante mesazhe kundër kundërshtarëve ukrainas dhe një moto të komandantit rus Aleksandr Nevskij: “Kushdo që vjen tek ne me shpatë, nga shpata do të vdesë!”.

Më vonë, aktiviteti i grupit u zgjerua kundër atyre që i konsideron “armiq të Rusisë”, përmes sulmeve të përsëritura kibernetike, kryesisht të llojit DDoS.

Nga Telegrami, grupi kaloi më pas në platformën GitHub, ku krijoi sistemin “DDosia”, përmes të cilit organizon sulme kibernetike edhe në formë bashkëpunimi kundrejt pagesës.

Sipas hetimeve, “Noname057(16)” bashkëpunon me grupe të tjera si “Killnet”, “Xaknet” dhe “Z-Pentest”.

Në shkurt të vitit 2025, grupi shënjestroi edhe presidentin e Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, pas deklaratave të tij ku krahasoi Rusinë me Rajhun e Tretë.

Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga Ministria e Jashtme ruse, e cila paralajmëroi se deklaratat nuk do të mbeteshin pa pasoja.

SHBA ofron 2 milionë dollarë për informacion mbi hakerat rusë

Qeveria amerikane kishte ofruar më herët, përmes programit “Reward for Justice”, deri në 2 milionë dollarë shpërblim për informacione që do të ndihmonin në identifikimin ose lokalizimin e personave të përfshirë në sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike amerikane, nën drejtimin ose kontrollin e një qeverie të huaj.

Në shënjestër ishin hakerat e grupit “Cyber Army of Russia Reborn”, i njohur gjithashtu si “Z-Pentest”. Hetuesit amerikanë dyshojnë se ky grup ka lidhje me “Qendrën e Teknologjive Speciale” të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU.

Grupi akuzohet për sulme ndaj infrastrukturës kritike amerikane që prej fundit të vitit 2023, përfshirë edhe disa sulme ndaj kompanive të furnizimit me ujë në shtetet Indiana, New Jersey dhe Texas.

Në nëntor të dy viteve më parë, hakerat sulmuan edhe një fabrikë për përpunimin e mishit në kontenë e Los Angelesit. Sulmi shkaktoi dëmtimin e mijëra kilogramëve mish dhe një rrjedhje amoniaku, duke detyruar evakuimin e objektit për disa orë.

Në atë kohë, drejtuesit e grupit që kërkoheshin nga autoritetet ishin Yuliya Pankratova, e njohur me pseudonimin YUliYA, dhe Denis Degtyarenko, i njohur si Dena.

“Everest”, grupi që dyshohet për sulmin ndaj tunelit të Brennerit

Një tjetër grup që është rishfaqur së fundmi është “Everest”, i krijuar në vitin 2020 dhe i specializuar në sulmet me programe ransomware, përmes të cilave bllokohen të dhënat e viktimave dhe më pas kërkohet shpërblim për rikthimin e aksesit.

Në Itali, grupi u bë i njohur në vitin 2021 pas një sulmi dhe shantazhi ndaj SIAE-së, shoqatës italiane për të drejtat e autorit. Dyshohet se më pas ka kryer edhe sulme të tjera ndaj institucioneve dhe kompanive të rëndësishme.

Tashmë, “Everest” akuzohet se ka shënjestruar tunelin e madh të Brennerit përmes një sulmi kibernetik më 17 tetorin e kaluar.

Në korrik, i njëjti grup kishte sulmuar kompaninë zvicerane të prodhimit të trenave “Stadler Rail”, duke kërkuar një shpërblim prej 10 milionë frangash zvicerane. Ndërsa në vitin 2025, kishte marrë përsipër një sulm ndaj operatorit suedez të rrjetit elektrik “Svenska kraftnät”.

“Male State”, grupi që dyshohet se u përdor për alarmet për bomba në avionë

Një tjetër emër që është shfaqur së fundmi është “Male State”, i njohur gjithashtu si “Luftëtarët e Shtetit Mashkullor”. Grupi ka mohuar përfshirjen në alarmet për bomba në avionë në disa vende europiane gjatë javës së kaluar.

Megjithatë, dyshimet janë se emri i kësaj organizate mund të jetë përdorur nga persona të tjerë për të përhapur panik mes udhëtarëve, kompanive ajrore dhe industrisë së transportit ajror.

“Male State”, ose “Muzhskoye gosudarstvo”, është një lëvizje ekstremiste ruse, ultranacionaliste, raciste, homofobe dhe mizogjine, e themeluar rreth dhjetë vite më parë nga Vladislav Pozdnyakov.

Grupi u shpall i paligjshëm nga gjykatat ruse në vitin 2021, pas akuzave për nxitje të urrejtjes ndaj grave. Edhe platforma sociale VKontakte kishte bllokuar më herët profilet e tij.

Grupet pro-ruse që ndjekin edhe disidentët

Rrjeti i grupeve të hakerave pro-rusë është shumë më i gjerë. Disa prej tyre veprojnë në mënyrë të pavarur, ndërsa të tjerë dyshohet se marrin udhëzime nga struktura shtetërore, megjithëse hetimet për këtë çështje vijojnë.

Mes tyre përmendet edhe grupi “APT44”, i cili përqendron aktivitetin kryesisht ndaj Ukrainës. Ndërkohë, dy emra të tjerë të njohur prej vitesh janë “Cozy Bear” dhe “Fancy Bear”. Ky i fundit dyshohet se është përfshirë edhe në gjurmimin dhe shënjestrimin e disidentëve.

/tvklan.al