Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka shkaktuar rritje të çmimit të ujit të pijshëm në disa qytete të vendit. Çmimet më të larta për ujin e pijshëm e kanë Elbasani me ujësjellës të dhënë me koncesion si dhe Durrësi, Fieri, Lezha dhe Saranda që kanë kontrata menaxhimi private. Çmimi pritet të rritet sërish pasi tarifa e ujit të pijshëm ende nuk ëshhtë barazuar me koston, sipas autoriteteve.

“Tarifat janë nën koston e prodhimit kështu që mendoj që arritja e një niveli të qëndrueshëm ekonomik dhe financiar të ndërmarrjeve do të shoqërohet gradualisht edhe me një rritje të tarifave për të arritur një nivel opitmal të këtij procesi në mënyrë që edhe ndërmarrjet të fiksohen në këtë nivel optimal të tarifës, por edhe konsumatorët gradualisht të kenë mundësira për t’u paguar. Ndryshimi i energjisë elektrike prek të gjithë sistemin e furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve, pasi pjesa më e madhe e sistemeve të furnizimit me ujë është me ngritje mekanike dhe për rrjedhojë do të ketë influencat e saj.”

Tarifat e reja të ujit të pijshëm të miratuara nga enti rregullator i ujit janë të kategorizuara ku bizneset paguajnë më shumë ndërsa kategroi të veçanta të familjarëve me të ardhura më të ulëta paguajnë më pak. INSTAT në raportimin e inflacionit vërejti se çmimi i ujit të pijshëm ishte rritur në total me 6% dhe kishte kontribuuar në një rritje të lehtë të inflacionit. /tvklan.al