Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) është vënë nën lupën e autoriteteve amerikane, të cilat kanë nisur një hetim mbi transaksione financiare ndërkombëtare që kapin vlerën e më shumë se 300 milionë dollarëve.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në bashkëpunim me FBI-në, po shqyrton mënyrën se si janë administruar disa marrëveshje tregtare të AFA-së në Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti i federatës, Claudio Tapia, ndodhet me kombëtaren argjentinase në Kupën e Botës 2026.
Në kuadër të hetimeve, agjentë të FBI-së dhe prokurorë federalë kanë marrë në pyetje biznesmenin Guillermo Tofoni gjatë një seance dëshmie që zgjati më shumë se dy orë. Ai është pyetur për kontratat tregtare dhe transaksionet ndërkombëtare të lidhura me Federatën Argjentinase të Futbollit.
Fokusi i hetimit është përqendruar te operacionet financiare të kryera përmes bankave dhe kompanive me bazë në SHBA, me qëllim verifikimin nëse gjatë realizimit të këtyre marrëveshjeve janë shkelur ligjet amerikane.
Sipas raportimeve, vlera e transaksioneve që po analizohen i kalon 300 milionë dollarët, çka e bën këtë një nga hetimet financiare më të rëndësishme që ka përfshirë AFA-në në vitet e fundit.
Megjithatë, deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit apo ndaj personave të përfshirë në hetim.
Çështja mbetet në fazën paraprake të hetimeve, ndërsa autoritetet amerikane vijojnë mbledhjen e provave dhe verifikimin e dokumentacionit financiar për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të legjislacionit amerikan.
/tvklan.al












Botërori 2026 
