Prej kohësh, mediat holandeze kanë treguar se si emigrantët shkojnë në Moerdijk, qëndrojnë atje dhe përpiqen të fshihen nëpër kamionë që të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e tyre janë shqiptarë. Situata arriti deri aty saqë kryebashkiaku i Moerdijk i nisi një letër ministrit të Sigurisë dhe Drejtësisë. Kohët e fundit ministri ka vizituar bashkinë dhe tha se problemi ka të gjithë vëmendjen e të gjithë partive në vend.

Tashmë sipas disa anëtarëve të parlamentit problemi i Calais ka filluar të shfaqet në Holandë mirëpo sipas sekretarit të Sigurisë nuk ekziston ky rrezik. Në qytetin francez shkojnë shumë emigrantë çdo vit. Synimi i tyre është të kalojnë në Britani. Pak kohë më parë situata u agravua aq sa shumë shoferë kamionësh kishin frikë të kalonin aty. U desh ndërhyrja e qeverisë franceze që problemi të reduktohej.

“Holanda vëzhgon me kujdes çështjen e emigrantëve dhe po diskutojmë nëse duhen masa shtesë”,

 thotë Mark Harbers, sekretari holandez i Shtetit për Siguri dhe Drejtësi.

Shpesh është raportuar sesi shqiptarët që duan të shkojnë në Britaninë e Madhe kanë gjetur “shtegun” e ri në Moerdijk. Gati çdo ditë, ata përpiqen që të ngjiten në kamionë në autostradë. Ky është një vend i përshtatshëm pasi mund të fshihen lehtësisht në kamion dhe më pas të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Mediat kanë shkuar deri në fushat e misrit ku ata qëndrojnë. Aty dallohen shishet plastike dhe mjete të tjera që shqiptarwt përdorin për të kaluar natën.

/abcnews.al