Media turke ka publikuar një artikull ku flet për rrugët e reja të mbërritjes së drogës së rrezikshme skunk në Turqi, ndërsa si burim paraqet Shqipërinë. Ditët e fundit policia e Stambollit ka arrestuar në flagrancë një turk që shpërndante këtë lloj të rrezikshëm droge që po helmon rininë e vendit.

 Tarık O. u pikas nga policia pasi doli nga shtëpia dhe hipi në motoçikletën e tij në distriktin Sisli. Pas thirrjes së policisë për të ndaluar, ai braktisi motoçikletën dhe ia mbathi, por arratia e tij zgjati vetëm 500 metra. Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 50 gram skunk, të cilën besohet se ua shpërndante trafikantëve në zonë.

Gjatë kontrollit në shtëpi, policia po ashtu gjeti 650 gram skunk të tjera, 10 gramë kokainë dhe një peshore për peshimin e drogës.  Skunk, sikurse edhe hashashi prodhohet nga bima e kanabisit, por nga bimë hibride. Sipas medias turke, skunk është rreth 10 herë më i dëmshëm se hashashi dhe shitet me çmim më të lartë, shkak për të cilin është fakti se prodhohet jashtë Turqisë.

Sipas gazetës “Sozcu”, skunk-u që trafikohet në Turqi prodhohet kryesisht në Shqipëri, ndërsa për të mbërritur në Stamboll, përdoren dy rrugë. Trafikantët, si rrugë të parë përdorin itinerarin Shqipëri, ishuj grekë – Turqi. Ndërsa rruga e dytë kalon nga Bullgaria, për tu futur në Turqi nëpërmjet Edirnesë. Media turke e cilëson skunkun si ‘helmim’ e ri që po ‘mbyt’ rininë turke pas Bonzait./tvklan.al