Me fazën e grupeve që ka mbetur për të shuar pak enigma, rrugëtimi i skuadrave në Kupën e Botës ka nisur të marrë formë. Deri më tani janë përcaktuar 28 kombëtaret që do të vijojnë më tej, me ekipet më të forta të botës që hyjnë në rrugën drejt trofeut, ndërsa surprizat kërkojnë të vazhdojnë ëndrrën e tyre, teksa janë mësuar edhe 9 përballje. Argjentina e ka autostradë rrugën drejt finales.
Kampionët ndodhen në krahun e djathtë të tabelës, ndërsa do të përballen me surprizën Kepi i Gjelbër në raundin e 1/32. Sipas gjasave, në raundin tjetër do të kenë Belgjikën, ndërsa nëse Portugalia përfundon e dyta në grup shihet si rival i mundshëm i “Albicelestëve” në çerekfinale, për të prodhuar edhe një derbi mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Në të njëjtin krah ndodhen edhe favoritë si Brazili e Anglia, kombëtare që në rast se do të përmbushnin pritshmëritë, do të përplaseshin bashkë po në raundin çerekfinal.
Në krahun tjetër, Gjermania pas përplasjes me Paraguajin dhe në rast kualifikimi do të kishte si rival Francën, që duhet të bëjë llogaritë me Suedinë. Për Holandën, shorti ka rezervuar Marokun në raundin e ardhshëm, ndërsa një sfidë me njërën mes Francës ose Gjermanisë, gjithmonë nëse shkon gjithçka perfekt në këtë rrugëtim, do të ndodhte vetëm në çerekfinale. Raunde të lehta në letër edhe për Spanjën, që momentalisht sfidon Austrinë, teksa rrezikon që në rrugëtimin e saj drejt finales të ketë edhe Portugalinë, me luzitanët që në rast triumfi ndaj Kolumbisë do ta shihnin veten në krahun tjetër dhe me një përballje në 1/16-at me Spanjën.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 