Trafik i rënduar dhe pritje të gjata për të shkuar në plazh

Trafik i rënduar dhe radhë të gjata në pritje për të mbërritur në destinacion. Është kjo ajo çka ndodh në çdo rrugë që lidh zonat turistike të Durrësit, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Këto pamje tregojnë trafikun e dendur në autostradën Tiranë-Durrës.

Me qarkullim normal të duhen vetëm 25 minuta për të kaluar atë, por në fundjavë duhet afro 1 orë për shkak të fluksit të lartë të automjeteve që lëvizin.

E njëjta situatë shfaqet edhe në autostradën Shkozet-Plepa, në rrugën dytësore në drejtim të Golemit, si dhe në rrugën Ura e Dajlanit-Plepa.

Edhe në kthim situata është e njëjtë. Në mbrëmje ka dyndje automjetesh. Këto pamje në rrugën që lidh Taulantian me zonën e Currilave, si dhe hyrjen e qytetit bregdetar tregojnë kaosin në qarkullim.

Përballë kësaj situate edhe policia e qarkullimit rrugor mbetet e pafuqishme. Durrësi vijon të mbetet një nga destinacionet e preferuara të shqiptarëve përtej kufirit.

Rritja e temperaturave duke lënë pas ditët me shi ka bërë që plazhet e Durrësit të popullohen jo vetëm nga vendasit, por edhe nga pushues të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Klan Plus