Në një takim në Romë me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nuk e fshehu zhgënjimin amerikan ndaj vendeve europiane, përfshirë Italinë, për t’u përballur me Iranin dhe për të hapur ngushticën e Hormuzit.

“Nuk e kuptoj pse dikush nuk do të ishte mbështetës. Vendet duhet të bënin më shumë sesa thjesht deklarata të forta, nëse kundërshtonin veprimet e Iranit”.

Sa i takon tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga NATO, Rubio tha se ky është një vendim që i takon presidentit amerikan.

Ndërsa kryeministrja Meloni e përshkroi takimin si të gjerë dhe konstruktiv, që përfshinte bisedime për Lindjen e Mesme dhe Ukrainën.

“Ishte një dialog i hapur midis aleatëve që mbrojnë interesat e tyre kombëtare, duke njohur plotësisht vlerën e unitetit perëndimor”.

Takimi vjen në një kohë tensionesh të pazakonta midis qeverisë italiane dhe administratës amerikane, pas qëndrimeve kritike të presidentit Donald Trump për qëndrimin e BE-së ndaj luftës me Iranin, por edhe për kritikat ndaj Papës.

Tv Klan

/tvklan.al