Adriatike Lami dhe Arben Çoçoli: Ju rrëfejmë historinë tonë të dashurisë

Emisioni “Rudina” solli sot në studio një histori të veçantë dashurie, atë të Adriatike Lamit dhe Arben Çoçolit, të cilët u njohën disa vite më parë gjatë një udhëtimi në Greqi. Një shoqëri e përbashkët bëri të mundur takimin e tyre të parë, ndërsa koha dhe përvojat e ngjashme i afruan gjithnjë e më shumë.

Të dy kishin përjetuar humbjen e partnerëve të tyre, një dhimbje që i ndihmoi të kuptonin më mirë njëri-tjetrin dhe të hapnin zemrat për një kapitull të ri në jetë. Në bisedën me Rudinën, ata rrëfyen historinë e njohjes, rrugëtimin e dashurisë së tyre, pasionet dhe përditshmërinë, duke ndarë edhe sekretet që i kanë mbajtur të bashkuar ndër vite.

Modë/ Si t’i kombinojmë spilat me stil në përditshmëri

Në pjesën e dytë të emisionit “Rudina”, vëmendja u përqendrua te një aksesor që po rikthehet në modë, spilat. Ato nuk janë më vetëm një detaj dekorues për xhaketa vintage apo raste të veçanta, por po bëhen pjesë e kombinimeve të përditshme gjatë sezonit të vjeshtës dhe dimrit.

Së bashku me dizajneren e bizhuterive, Vlerina Haxhiraj, u prezantuan pesë mënyra për të mbajtur spilat në veshje, duke shmangur pamjen tradicionale. Forma, materiali, ngjyra dhe vendosja e tyre mund të transformojnë një veshje të zakonshme në një kombinim plot stil dhe personalitet.

“Inventari i ëndrrave”/ Një roman për dashurinë, lirinë dhe ëndrrat e grave

Në pjesën e tretë të emisionit “Rudina”, në fokus ishte letërsia dhe një roman që fton lexuesin të reflektojë mbi jetën, dashurinë dhe lirinë. Bëhet fjalë për “Inventari i ëndrrave”, nga autorja nigeriano-amerikane Chimamanda Ngozi Adichie, i sjellë në shqip nga shtëpia botuese Pegi, me përkthimin e Ines Ekonomit.

Romani rrëfen historitë e katër grave, jeta e të cilave ndërthuret mes dy kontinenteve, përmes dashurive, zhgënjimeve dhe përpjekjeve për të gjetur lirinë dhe veten. Për të folur më gjatë rreth veprës, personazheve dhe mesazheve që përcjell, e ftuar në studio ishte botuesja Loreta Berhami.

/tvklan.al