Homazhe në “Rudina” për diplomatin Bashkim Zeneli dhe avokatin Saimir Vishaj
Në pjesën e parë të emisionit, u mbajt një homazh për diplomatin, gazetarin, publicistin dhe ish-deputetin Bashkim Zeneli, i cili u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, duke lënë pas një kontribut shumëvjeçar në jetën publike shqiptare. Gjithashtu, edhe për avokatin e njohur, Saimir Vishaj, i cili ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, ku ishte transportuar me urgjencë të dielën, pas dyshimeve se kishte rënë nga shkallët. Gjendja e tij shëndetësore ishte paraqitur kritike dhe mjekët e kishin vendosur në intubim. Përmes një lidhjeje direkte me gazetaren Glidona Daci, mësuam më shumë mbi rrethanat e ngjarjes dhe karrierën e tij në avokati
“Melodi pa moshë” koncerti Gala që bën bashkë Kastriot Tushën dhe Ardian Trebickën
Pjesa e dytë u fokusua tek arti, e pikërisht tek koncerti “Melodi pa moshë”, që sjell në skenë një udhëtim muzikor mes brezash dhe kulturash nga dy zëra të mirënjohur të skenës shqiptare, Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka.
Koncerti do të përfshijë këngë të njohura nga repertori shqiptar, por edhe hite të muzikës botërore, që ndër vite kanë lënë gjurmë dhe janë kthyer në pjesë të kujtesës artistike të shumë brezave.
95-vjetori i Dritëro Agollit / shtëpia muze hap dyert e procesit krijues të shkrimtarit
Pjesa e tretë u fokusua tek ekspozita e veçantë në 95-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, në Shtëpinë Studio Dritëro Agolli.
Për herë të parë janë prezantuar dorëshkrime origjinale të romaneve “Trëndafili në gotë”, “Dështaku” dhe “Arka e djallit”, si dhe materiale e objekte personale që dëshmojnë mënyrën e tij të të shkruarit dhe të krijuarit.
E ftuar për të dhënë më shumë detaje ishte Anisa Ymeri, gazetare dhe drejtoreshë e Shtëpisë Studio Agolli.
/tvklan.al












Botërori 2026 