Rusia, Arabia Saudite dhe Australia renditen si tre vendet që kanë shkaktuar më shumë emetime të dioksidit të karbonit përmes eksportit të lëndëve djegëse fosile që prej vitit 1850.

Sipas një analize të publikuar nga Carbon Brief dhe të siguruar nga gazeta britanike The Guardian, Rusia kryeson listën me më shumë se 70 miliardë tonë CO₂ të prodhuara nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit të eksportuar deri në fund të vitit 2025. Në vendin e dytë renditet Arabia Saudite, me rreth 60 miliardë tonë, ndërsa Australia mban vendin e tretë me mbi 25 miliardë tonë, duke lënë pas Venezuelën.

Të dhënat marrin në konsideratë jo vetëm ndotjen e prodhuar brenda kufijve të një shteti, por edhe emetimet që krijohen nga djegia e lëndëve fosile, që ai eksporton drejt vendeve të tjera. Kjo qasje ndryshon mënyrën sesi vlerësohet përgjegjësia historike për krizën klimatike, pasi shtetet eksportuese mund të rezultojnë me emetime relativisht të ulëta në statistikat tradicionale, megjithëse furnizojnë pjesën tjetër të botës me sasi të mëdha karburantesh ndotëse.

Megjithatë, analiza tregon se SHBA-të dhe Kina, dy ndotësit më të mëdhenj aktualë në botë, mbajnë ende përgjegjësi më të lartë për emetimet historike, pasi krahas importeve të mëdha kanë djegur edhe rezervat e tyre të lëndëve fosile.

Publikimi i këtyre të dhënave vjen në një moment delikat për Australinë, e cila këtë vit bashkëdrejton punimet e samitit të OKB-së për klimën, COP31, që po zhvillohet në Turqi. Pavarësisht rolit të saj në negociatat klimatike, vendi nuk ka përcaktuar një afat për t’i dhënë fund përdorimit apo eksportit të lëndëve djegëse fosile, të cilat përbëjnë rreth 40% të ekonomisë së tij eksportuese.

Sipas organizatës Climate Analytics, Australia vijon të miratojë projekte për miniera qymyri që parashikohet të jenë në funksion deri në vitin 2088, shumë përtej afatit kur vendet duhet të arrijnë objektivin e emetimeve neto zero, rreth mesit të këtij shekulli.

Situata ka nxitur kritika ndaj vendeve që përfitojnë ekonomikisht nga karburantet fosile, ndërsa në samitet ndërkombëtare angazhohen për uljen e ndotjes. Përfaqësues të organizatave mjedisore kërkojnë që shtetet e pasura dhe kompanitë që kanë përfituar nga industria e naftës, gazit dhe qymyrit të mbajnë përgjegjësi edhe për dëmet klimatike.

Nga ana tjetër, Arabia Saudite kundërshton këtë mënyrë llogaritjeje, duke argumentuar se përgjegjësia për emetimet duhet t’u takojë vendeve që importojnë dhe djegin naftën, pasi janë ato që vendosin mënyrën e përdorimit të saj. Në COP31, negociatat për një kalim gradual nga karburantet fosile mbeten të vështira, ndërsa kundërshtimi i disa vendeve, përfshirë Arabinë Saudite dhe Rusinë, rrezikon të dobësojë edhe më tej marrëveshjen përfundimtare.

/tvklan.al