Rusia do të ndërtojë një central të vogël bërthamor në Uzbekistan, i pari në Azinë Qendrore.

Për këtë qëllim presidenti rus Vladimir Putin gjatë vizitës së tij në Uzbekistan nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi homologun e tij, Shavkat Mirziyoev, sipas së cilës Rusia do të vendosë 400 milionë Dollarë në një fond të përbashkët investimi për të financuar këtë projekt.

Putin tha se protokolli, i nënshkruar paraqet ndryshime në marrëveshjen e vitit 2018 dhe lejon ndërtimin e një centrali të vogël bërthamor në Uzbekistan në përputhje me teknologjitë moderne ruse dhe sipas tij garanton kërkesat më strikte të sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Lideri uzbek e cilësoi projektin si jetik për Uzbekistanin, i cili sipas tij i siguron vetë rezervat e uraniumit të domosdoshëm për funksionimin e këtij centrali.

Ai gjithashtu nënvizoi se marrëveshja shënon fillimin e një epoke të re në partneritetin gjithëpërfshirës strategjik dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Kremlini, firma shtetërore ruse Rosatom do të ndërtojë deri në gjashtë reaktorë bërthamorë me një kapacitet prej 55 megavat secili në Uzbekistan.

Marrëveshja bërthamore, nëse zbatohet, do të tregojë aftësinë e Rusisë për të eksportuar jo vetëm energji, por edhe produkte të teknologjisë së lartë në tregjet aziatike, në një kohë kur Perëndimi po rrit presionin ndaj saj përmes sanksioneve.

Tv Klan