Në qytezën e Vovçanskut në rajonin e Harkivit, që ndodhet pranë kufirit ukrainas me Rusinë, banorët kanë nisur të largohen. Ditët e fundit, aty është rritur intensiteti i goditjeve të artilerisë ruse. Siç dyshohet edhe nga vendet e NATO-s, Moska po hedh hapa konkretë për zgjerimin e frontit të luftës në Ukrainë, përtej 4 rajoneve të aneksuara pas 24 Shkurtit 2022. Në të njëjtën situatë janë edhe shumë zona të tjera kufitare të rajonit lindor ukrainas.

Nga bombardimet e ditëve të fundit janë shënuar disa të plagosur, ndërsa bombat ruse kanë shkatërruar dhjetëra banesa. Rusët kanë përdorur edhe dronë gjatë këtyre sulmeve, shumicën e të cilëve ushtria ukrainase i ka shkatërruar.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u zotua se ushtria e vendit të tij do të mbrojë me çdo kusht rajonin e Harkivit, por tha se ndihmat e premtuara nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s duhej të dërgoheshin në kohë. Ukrainasit i detyruan rusët të tërhiqen nga ky rajon në nisje të ofensivës së tyre në muajt e parë të 2022-shit.

Tv Klan