Shefi i diplomacisë ruse, Lavrov, përdori foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të mbrojtur serbët në Ballkan, që sipas tij po dhunohen.
Në një gjuhë të njëjtë me atë që Rusia përdori për të justifikuar agresionin ndaj Ukrainës, me justifikimin e dhunimit të të drejtave të rusishtfolësve, Lavrov ktheu sytë nga Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, ku sipas tij serbët po keqtrajtohen.
Ai fajësoi për këtë edhe Perëndimin, që mbështet qeveritë në këto pjesë të rajonit.
Lavrov akuzoi Perëndimin edhe për shkeljen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
Kreu i diplomacisë ruse tha se janë realizuar në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor sulme ndaj interesave jetësore të popullit serb, përfshirë të drejtat themelore të Ortodoksisë Serbe, si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë.
“Njohja e njëanshme e të ashtuquajturës Kosovë, në kundërshtim me Rezolutën 1244, në thelb përfaqësonte një përpjekje për të shkatërruar strukturën shtetërore të Serbisë”, theksoi ministri rus.
Sipas tij, në këtë rajon po shkelet hapur parimi themelor i Kartës së OKB-së, i cili i detyron të gjitha shtetet anëtare të respektojnë vendimet e Këshillit të Sigurimit.
“Moska mbetet konsistente në mbrojtjen e sovranitetit të Serbisë”, tha Lavrov në atë që konsiderohet një kthim borxhi për mosvendosjen e sanksioneve nga ana e Beogradit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 