Rusia ka paralajmëruar zyrtarisht Britaninë e Madhe se “do të paguajë një çmim të lartë” pas konfirmimit se dronë të prodhimit britanik po përdoren nga Ukraina për goditje në thellësi të territorit rus.

Ambasada ruse në Londër akuzoi Britaninë për përshkallëzim të qëllimshëm të konfliktit, ndërsa Ministria britanike e Mbrojtjes u përgjigj se qëndron krah për krah me Ukrainën kundër agresionit rus.

Situata në terren mbetet tejet kritike. Përgjatë dy ditëve të fundit, Ukraina ka ndërmarrë valën më të madhe të sulmeve, duke lëshuar mbi 620 dronë drejt rajonit të Moskës, të cilët dëmtuan edhe qendrën e madhe logjistike Wildberries.

Nga përplasjet me raketa e dronë gjatë natës së kaluar, të paktën 17 persona humbën jetën në Ukrainë dhe shtatë të tjerë në territorin rus.

Në mes të këtij përshkallëzimi ushtarak, Kievi zyrtar vijon të ankohet për mungesë kritike të sistemit mbrojtës Patriot. Ushtarakët ukrainas paralajmërojnë se deficitet e rënda të raketave mbrojtëse po lënë të pambrojtura qytetet dhe infrastrukturën civile ndaj sulmeve balistike ruse.

Tv Klan

/tvklan.al