Rusia mund të lëshojë në orbitë një satelit të pajisur me koka bërthamore brenda javëve të ardhshme. Alarmimi vjen nga shërbimet perëndimore të inteligjencës dhe ushtritë e disa vendeve të NATO-s, të cilat dyshojnë se Moska po përgatit një hap të tillë. Lajmi është publikuar nga gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung“, e cila citon raporte të shkëmbyera së fundmi mes vendeve aleate.

Sipas raportimeve, në këtë vlerësim janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura Gjermane (Bundeswehr) dhe Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND). Ekspertë të ushtrisë gjermane thuhet se kanë informuar edhe zyrtarë të lartë politikë në Berlin për planet e dyshuara të Rusisë, mes tyre ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Të dhënat e inteligjencës pretendojnë se sateliti, i identifikuar me emrin “Sputnik-S“, është ndërtuar plotësisht dhe ndodhet i magazinuar në një bazë në zonën e Moskës, në pritje të një vendimi për lëshimin e tij.

Nëse këto plane do të realizoheshin, Rusia do të shkelte Traktatin e vitit 1967 për përdorimin paqësor të hapësirës së jashtme, i cili ndalon vendosjen në orbitën e Tokës të objekteve që mbartin armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë.

Ndërkohë, Kremlini ka reaguar duke mohuar se ka dijeni për një plan të tillë. Zëdhënësi i Presidencës ruse, Dmitry Peskov, deklaroi se autoritetet ruse nuk kanë informacion për raportimet e mediave gjermane lidhur me një satelit bërthamor që mund të lëshohet deri në fund të vitit.

Peskov kritikoi raportimet e mediave perëndimore, duke thënë se ato publikojnë vazhdimisht informacione për „mundësi të supozuara“ dhe pretendime që bazohen në burime të panjohura, të cilat, sipas tij, është e vështirë të merren seriozisht.

/tvklan.al